E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mushkëritë, pacientët 80% meshkuj

Problemet kronike me mushkëritë, të cilët detyrojnë pacientët të shkojnë çdo muaj e çdo javë të marrin trajtim në spital, mund të parandalohen në shumicën e rasteve. Por, një pjesë e mirë e qytetarëve që punojnë në punë të rënda, për të cilat nuk marrin "antidozë" të ndotjeve, apo pluhurave që rëndojnë mushkëritë, janë të predispozuar për t‘u prekur nga sëmundjet e mushkërive.

Një studim i spitalit universitar të sëmundjeve të mushkërive "Shefqet Ndroqi", pasqyron përfundimet se një pjesë e mirë e pacientëve që vuajnë dhe trajtohen vazhdimisht nga mushkëritë janë punëtorët e profesioneve të vështira, si ata në ndërtim, ata që kanë kontakt me pluhurin dhe pjesa më e madhe e atyre që konsumojnë duhan.

Studimi

Seksi mashkull predominon me 84 për qind të rasteve kundrejt 16 për qind të seksit femër. Profesioni më i rriskuar janë punëtorët. Konsumi i duhanit mbetet faktor madhor risku në sëmundjet SPOK, të cilët në studim i hasim në 62 për qind të rasteve. Numri më i madh i të prekurve u përket stadeve të avancuara të sëmundjes kronike të mushkërive. Shtrime për herë të parë në spital, në 79 për qind të tyre janë pa sëmundje shoqëruese, ndërsa pjesa tjetër shoqërohet në mënyrë te veçantë me sëmundje kardiake. Mbi 70 për qind e rasteve të të sëmurëve të shtruar me SPOK paraqesin nevojën për terapinë me oksigjen.

Janë marrë në studim 104 raste me pacientë që vuajnë nga sëmundjet pulmonare kronike. Ata kanë qenë të shtruar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive. Nga të ekzaminuarit ka pasur 33 raste shtrimesh për herë të parë dhe 71 raste me pacientë që janë shtruar disa herë brenda një viti. Në këtë studim vihet re se rastet me SPOK mbizotërojnë në moshën mbi 60 vjeç.

Qëndrimi në spital

Personat më të rrezikuar ndaj sëmundjeve kronike pulmonare janë punëtorët, apo ata që konsumojnë duhan. Kryesisht të sëmurët kronikë shtrohen disa herë në vit në spitalin e mushkërive.

Terapia kryesore që ata marrin është oksigjeni. Moshat më të prekura nga sëmundjet pulmonare janë mbi 60 vjeç.

Studimi tregon se ditë-qëndrimi në spital i këtij grupi pacientësh është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Ndërsa arrihet në konkluzionin se meshkujt janë ata që preken më shumë, në thuajse 80 për qind të rasteve.

Respektivisht ata që shtrohen për herë të parë rrinë mesatarisht 12 ditë. Pastaj të sëmurët që shkojnë disa herë në spital mund të rrinë nga 14 ditë deri në 15 ditë. Ditë-qëndrimi në spital ka lidhje me stadin e sëmundjes apo sëmundjet shoqëruese.

Sipas studimit të "Shefqet Ndroqit", një pjesë e mirë e pacientëve janë të gjinisë mashkullore, ndërsa femrat që preken nga këto sëmundje, kryesisht janë përdoruese të rregullta të duhanit, të cilat nuk e kanë hequr vesin për një kohë të gjatë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›