Shpëtohen nga policia, moti i keq, tre peshkatarë rrezikuan mbytjen në detin Adriatik
DURRËS - Shiu dhe stuhitë kanë përfshirë prej tri ditësh gjirin detar shqiptar duke krijuar kushte të pafavorshme lundrimi në dy portet kryesore në vendin tonë. Në Durrës, dy peshkatarë kanë dhënë alarmin pasi kanë qenë duke u mbytur nga dallgët. Policia e qytetit bregdetar ka bërë të ditur se dy ditë më parë, A. Zhuri, 22 vjeç dhe kushëriri i tij, A. Zhuri, 19 vjeç, banues në fshatin Rrioll të Shkodrës, kishin dalë në det me një varkë peshkimi dhe rreth orës 08:00 janë rrezikuar për t’u mbytur. Sapo është dhënë sinjali SOS, për t’u shkuar në ndihmë këtyre në lundrim ka dalë një motoskaf policie që fillimisht, si pasojë e motit tejet të keq, ka tentuar të kthehet, por duke qenë se telefonatat tregonin se gjendja e peshkatarëve ishte në rrezik, ka vazhduar lundrimin drejt tyre dhe ka kontaktuar varkën rreth orës 09:00. Varka është tërhequr drejt Portit të Shëngjinit ku ka mbërritur rreth orës 09:50. Pas marrjes së ndihmës së parë dy personat e lartpërmendur janë jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, një tjetër peshkatar që kishte në përdorim një varkë plastike me motor ka rrezikuar mbytjen. Ngjarja ka ndodhur në Qerret të Kavajës, ku H. Hoti kishte dalë në det rreth orës 06:00 të mëngjesit për të mbledhur rrjetat e peshkimit. Si pasojë e motit, që pati një përkeqësim të menjëhershëm si dhe një defekti në motorin e varkës, ai ka kërkuar ndihmë nëpërmjet telefonit, në pamundësi për të dalë në breg. Gjatë kësaj kohe deti e ka spostuar akoma më tepër varkën e tij. Efektivat e Policisë Kufitare, së bashku me një tjetër peshkatar të zonës arritën të nxjerrin në breg Hotin, varka e të cilit ishte mbytur.
Në Vlorë, situata sinoptike është karakterizuar dje nga vranësira të dendura dhe reshje të përkohshme shiu, veçanërisht në pjesën e parë të ditës. Burime nga portuali i këtij qyteti bëjnë me dije se vlerat e temperaturave do të shënojnë një ulje tjetër të lehtë krahasuar me një ditë më parë, ndërkohë që kushtet e lundrimit do të jenë të pafavorshme për mjetet e vogla si peshkarexhat, të cilat prej tri ditësh nuk dalin për gjueti.
18 Maj 2010