E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollimi, përse ndihma ndaj femrave duhet filluar aty

"Gratë mbajnë gjysmën e qiellit", thotë një proverb i njohur kinez, e pavarësisht kësaj në një pjesë jo të vogël të planetit vajzat janë të pashkolluara dhe gratë të mënjanuara dhe nuk është një rastësi që po këto vende që kanë një statistikë të tillë të trishtë janë edhe vendet më të goditura nga varfëria, fondamentalizmi dhe kaosi. Ndërkaq, ka një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh në botën e zhvilluar se përqendrimi në zgjidhjen e problemit të vajzave dhe grave është njëherazi edhe një nga mënyrat më të efektshme për zgjidhjen e problemit të varfërisë. Kjo është arsyeja se përse ndihmat në këto vende po përqendrohen gjithnjë e më tepër te gratë. Gratë dhe vajzat nuk janë problemi, por zgjidhja e tij. Një nga vendet më interesante në lidhje me marrëdhëniet gjinore është Pakistani. Në një lagje të varfër jashtë qytetit të madh të Lahores, një grua me emrin Saima Muhamad derdh lot natë për natë. Ajo është shumë e varfër dhe bashkëshorti i saj është i sëmurë rëndë dhe i pamundur për të siguruar bukën e gojës. Kjo situatë e bën atë që të jetë nervoz e me nerva të shkatërruara çdo natë dhe si pasojë ta rrahë të shoqen çdo ditë. Shtëpia ku ata banojnë po shembet dhe Saima ka dërguar një nga fëmijët e saj të jetojë me të motrën, sepse në shtëpinë e tyre mund të vdesësh nga uria. "Unë kam një jetë të tmerrshme. Im shoq më rreh, kunati më rreh, nuk kam të ha dhe me se të ushqej fëmijët, ndërkohë që shtëpia mund të më shembet e zërë brenda nga çasti në çast", rrëfen gruaja. I shoqi u ka njerëzve një borxh që i kalon të 3 mijë dollarët dhe duket se ky borxh do t‘i mbetet varur kësaj familjeje edhe për shumë e shumë kohë. Saima ka lindur shumë vajza dhe kjo ka bërë që vjehrra ta shohë me sy të keq dhe ta quajë "të paaftë" për të sjellë në jetë një djalë. E ëma e të shoqit e nxit atë që të martohet sërish e të marrë një grua të dytë që t‘i lindë një djalë. Në këto kushte, Saima ishte në prag të vetëvrasjes në një situatë pa rrugëzgjidhje që sa vinte e po rëndohej. Por pikërisht ndërsa kishte humbur çdo shpresë, ajo u përball me një mundësi ndryshimi. Dikush i foli për një fondacion që jepte mikrokredi për gra që donin të fillonin një biznes. Bëhet fjalë për institucione që janë të specializuara për të ndihmuar vetëm gratë e varfra, gra që zakonisht nisin një biznes në grupe mbi 10 veta. Ato u garantojnë borxhet njëra-tjetrës dhe takohen një herë në dy javë për të bërë pagesat dhe për të diskutuar për çështje të ndryshme sociale si planifikimi familjar apo shkollimi i vajzave të tyre. Një grua pakistaneze e ka shpesh të ndaluar që të largohet nga shtëpia pa lejen e bashkëshortit, por burrat e këtyre grave i tolerojnë këto takime, duke qenë se gratë kthehen në shtëpi me para dhe me ide të reja investimesh. Le të kthehemi te Saima. Ajo mori një kredi prej 65 dollarësh dhe e përdori këtë sasi parash për të blerë fill dhe copa të bardha, të cilat i shndërroi në qëndisma të bukura, të cilat i shiti në tregun e Lahores. Paratë e fituara nga ky biznes, pasi lau kredinë, ajo i përdori për të blerë më shumë copë dhe pe për të qëndisur të tjera mbulesa e zbukurime. Shumë shpejt ajo mundi që të kishte një biznes që i sillte një të ardhur të qëndrueshme, e vetmja e ardhur që hynte në shtëpinë e saj me të cilën ajo ushqente fëmijët. Kur u forcua sadopak ajo e mori të bijën nga shtëpia e motrës dhe kështu duke punuar të dyja pak nga pak ato nisën që të lanin edhe borxhet e të zotit të shtëpisë. Kur tregtarët i kërkonin Saimës më shumë qëndisma nga sa mund të përballonte, atëherë ajo punësonte edhe fqinjat e saj që ta ndihmonin. Pas një farë kohe për të punonin mbi 30 familje dhe ajo vuri në punë edhe të shoqin dhe kështu gruaja që dikur donte të vriste veten u shndërrua në "bosen" e lagjes. Me të ardhurat e fituara ia doli jo vetëm t‘u mbushte të bijave barkun me bukë, por t‘i dërgonte nëpër shkolla, të ndreqte shtëpinë dhe të blinte mandej edhe një televizor. "Sot të gjithë vijnë e më kërkojnë para borxh, madje janë ata që dikur më rrihnin e më shanin", thotë Saima me krenari për veten. Gruaja e sotme nuk ka asgjë të përbashkët me atë të kohëve më parë. Sot ajo rrezaton vetëbesim dhe nuk e lejon më të shoqin që t‘i diktojë jetën, apo ta dhunojë. Ky i fundit e kalon ditën në punë, duke marrë urdhra nga e shoqja. Ajo vetë nuk ka mundur të lindë djalë, por është shumë e kënaqur me 3 vajzat e saj, sepse thotë se vajzat janë po aq të mira e të mençura sa edhe djemtë. Begatia familjare e Saimës ka ndryshuar edhe perspektivën e shkollimit të fëmijëve të saj. Ajo ka planifikuar që të dërgojë të tri vajzat e saj në universitet, pasi veçse punëtore ato janë edhe shumë të zgjuara në mësime. Për sa i përket të shoqit, Saima thotë se tani ka marrëdhënie të mira me të se nuk zihen më dhe se më në fund ai ka mësuar që ta respektojë. Tradicionalisht statusi i grave, prej kohësh, është konsideruar një çështje që ia vlen të diskutohet, por që gjithmonë është konsideruar e dorës së dytë. Kjo duket edhe te pozicionimi i vetë gazetarëve, të cilët preferojnë më shumë që të merren me konfliktet e mëdha sesa me dhunimin e grave, duke harruar se kjo mungesë balance është njëherazi problemi dhe zgjidhja e këtyre konflikteve. Le të shkojmë tani në një vend tjetër, Kina. Në vitin 1989 doli një studim i cili nxirrte në pah një dhunim të të drejtave të njeriut që merrte vazhdimisht jetë njerëzish. Sipas këtij studimi, 39 mijë foshnja vajza vdisnin çdo vit në Kinë, sepse prindërit nuk u jepnin atyre të njëjtën ndihmë mjekësore që ua jepnin foshnjave djem dhe kjo për sa i përket vitit të parë të jetës. Po për fatin e këtyre foshnjave gati të braktisura nuk shkruhej as edhe një rresht në gazetat e vendit, apo edhe ato ndërkombëtare që ishin të zëna me lajme "më të rëndësishme". Një situatë e ngjashme me Kinën u vu re edhe në vende të tjera. Në Indi ndodh fenomeni i "varrosjes së nuses" dhe është një fenomen me një shpeshtësi të jashtëzakonshme që ka për qëllim dënimin e një gruaje për mungesën e një paje të mirë, apo edhe eliminimin e saj me qëllim që dhëndri të mund të martohet me një tjetër. Edhe për këtë fenomen shumë rrallë është folur në shtypin botëror. Ndërkaq, shifrat e përbotshme janë me të vërtetë shqetësuese. Mbi 100 milionë gra konsiderohen të zhdukura në botë. Në një jetë normale femra është e predispozuar të jetojë më shumë se mashkulli dhe kjo është arsyeja që në botë ka më shumë femra se meshkuj. Por në vendet ku femra dhunohet dhe është tërësisht e pambrojtur, ajo mund të konsiderohet edhe si një "racë" në zhdukje e sipër. Në Kinë për çdo 107 meshkuj ka 100 femra, çka tregon për mënyrën se si në këtë vend sillen ndaj femrës. Shkaqet nisin që nga foshnjëria, pra nga mosmarrja e mjekimeve të domosdoshme në moshë të njomë. Në Indi, për shembull, vaksinimi u bëhet fillimisht meshkujve e më pas edhe femrave, pra janë meshkujt prioritarë. Edhe për sa i përket vdekshmërisë foshnjore femrat janë ato që vdesin 5 herë më shumë se meshkujt. Statistikat zyrtare botërore në lidhje me abuzimin e femrave janë të pakta dhe jo të sakta. Duket se numri i grave të
vdekura në shekullin e 20-të,për të vetmin fakt se janë gra, është më i madh se numri i burrave të vrarë në konfliktet e këtij shekulli. Numri i viktimave të këtij "gjenocidi" rutinor e kalon numrin e të gjitha viktimave të gjenocideve të shekullit të kaluar. Dhe për ato që arrijnë të rezistojnë, keqtrajtimi shpesh është aq i dhunshëm e brutal, sa ato do të donin të kishin vdekur. Miliona gra e vajza në botë jetojnë aktualisht në kushtet e një skllavërie të drejtpërdrejtë. Një numër i saktë është i vështirë që të nxirret, por sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, thuhet se ekzistojnë mbi 10 milionë gra e vajza që i nënshtrohen skllavërisë, përfshi edhe atë seksuale. Në Azi ekzistojnë mbi 1 milionë vajza të mitura që i janë nënshtruar dhunës dhe skllavërisë seksuale. Qindra mijëra gra dhe vajza mbahen mbyllur në bordello dhe nuk e shohin fare dritën diellit të shndërruara në copa mishi prej të cilave nxirret fitim, të cilat më pas hidhen ose zhduken sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. India është vendi numër një i skllavërisë moderne. Një tjetër barrë e rëndë për femrat në vendet e varfra është vdekshmëria e nënave. Çdo minutë, në botë vdes një nënë në lindje e sipër. Gratë dhe vajzat në Azi dhe në Afrikë nuk kanë qenë kurrë në qendër të politikave të vendeve të tyre, apo edhe të ndihmave ekonomike nga jashtë. Megjithatë, këto shifra të trishta kanë një dritë në fund të tunelit. Shembulli i Saimës nuk është i vetmi në këtë botë dhune dhe skllavërie dhe në shumë vende të varfra burimet më të mëdha të paeksploruara nuk janë ato të fushave të naftës, apo të minierave të arit, por ato të vajzave dhe grave që nëse do të shkolloheshin dhe do të ndihmoheshin do të shndërroheshin për vendet e tyre në asete të vërteta intelektuale dhe mbi të gjitha do të rrisnin një brez të ri shumë më të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht. Me shkollimin dhe me ndihmën e nisjes së një biznesi, gratë e varfra mund të fitojnë para dhe të mbështesin vendet e tyre sikundër mbështesin familjet. Ato përfaqësojnë ndoshta shpresën më të mirë për të luftuar dhe mundur varfërinë në botë. Ka vende në Azinë Lindore që vënia në jetë e politikave pro femrës ka sjellë rezultatet e pritshme dhe gratë kanë përfituar dukshëm nga ndryshimet e thella sociale. Në vende të tilla si Koreja e Jugut dhe Malajzia, Kina dhe Tajlanda, gratë e zonave rurale që më parë kontribuonin shumë pak në ekonominë e vendit, janë shkolluar dhe tashmë kanë poste drejtuese në fabrika e uzina, banka e institucione shumë të rëndësishme. Ka një tendencë interesante në këto vende dhe kjo tendencë është mikrofinanca që u rezervohet më së shumti grave. Përse grave dhe përse kur një grua sjell para në shtëpi nga puna e saj janë të gjithë pjesëtarët e familjes që përfitojnë? Një nga arsyet ka të bëjë me një sekret të ndryrë të varfërisë botërore. Një nga shkaqet e varfërisë nuk është mungesa e parave, por shpenzimi i tyre në mënyrë jo të mençur, veçanërisht nga burrat. Ka familje që varrosin një fëmijë për mungesën e një rrjete që do t‘ia ndalonte pickimin e një mushkonje, një rrjetë që ka kushtuar vetëm 5 dollarë, ndërkohë që i zoti i shtëpisë i ka harxhuar këta dollarë në lokal duke pirë. Shumë familje shpenzojnë, për shkak të burrave, më shumë para për alkool, për prostitucion, apo qejfe personale sesa shpenzojnë për shkollimin e fëmijëve të tyre. Kjo në rastet kur paratë i fiton mashkulli. Ndërsa nëse paratë do t‘i fitonte femra, atëherë ajo nuk do të vinte kurrë qejfin e saj para nevojave të fëmijëve, apo të familjes dhe mbi të gjitha femrat janë shumë më të prirura të kursejnë, apo të mendojnë për një ditë të keqe në krahasim me mashkullin. Ndaj investimi në shkollimin dhe fuqizimin e femrave është një nga investimet më fitimprurëse që mund të ekzistojnë. Vëmendja ndaj grave ka ardhur gjithnjë e në rritje edhe në institucionet më të rëndësishme. Kështu, për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë është ngritur një këshilli i ri i grave dhe vajzave. Ndoshta Obama ishte i indoktrinuar nga e ëma, që ishte një nga gratë e para që u përfshinë në planet e mikrokredive kur u betua që të luftonte varfërinë në Indonezi. Sekretarja e Shtetit, Klinton, është një nga anëtaret e këtij këshilli që merret me çështjet e grave në qeverisje. Një nga arsyet e edukimit dhe forcimit të grave dhe përfshirjes së tyre në shoqëri është edhe lufta ndaj terrorizmit ekstremist. Dominimi i madh i një shoqërie nga ana e meshkujve sjell edhe rrezikun që kjo shoqëri të prodhojë një numër shumë të madh njerëzish të dhunshëm e të pakënaqur që janë një kontingjent shumë i madh për terrorizmin. Ndaj është shumë i nevojshëm edukimi i vajzave në vende të tilla si Afganistani, apo vende të tjera konfliktuale që prodhojnë situata ekstreme dhune. Një axhendë e mirë për mbështetjen dhe zhvillimin e grave në të gjithë botën dhe veçanërisht në vendet e varfra duhet që të fokusohet në radhë të parë në shkollimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›