E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e lirimit, AVA nis punën për grumbullimin e fondit të pyetjeve



Nis puna për grumbullimin e fondit të pyetjeve për provimet e lirimit. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Alfons Harizaj. Drejtori i AVA-s shprehet se për grumbullimin e fondit të pyetjeve, po punojnë rreth 20 mësues. Ndërsa përsa i përket përzgjedhjes së mjediseve të zhvillimit të provimeve të lirimit, Harizaj, sqaron se drejtoritë arsimore duhet të përcaktojnë mjediset ku zhvillohen provimet deri më 20 maj. Që një mjedis të jetë i përshtatshëm për këto provime duhet të plotësojë disa kritere si: të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës; largësia ndërmjet nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm, etj. Nxënësit e klasave të 9-ta do ta mbyllin vitin shkollor më 5 qershor 2009, pasi kanë provimet e lirimit. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të provimeve të lirimit, sipas udhëzimit të MASH-it, është nga data 6 qershor-27 qershor 2009. Nxënësit e klasave të 9-ta do të testohen për Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar më 13 qershor 2009 dhe në Matematikë, në 20 qershor 2009. Ndërsa për sesionin e dytë të provimeve të lirimit, udhëzimi parashikon data të tjera. Kështu, nxënësit që nuk do të kalojnë në sesionin e parë të provimeve të lirimit, do t’i rijapin ato në datat 1-5 shtator 2009. Vlerësimi i tezave të provimit do të kryhet pranë ambienteve të drejtorive arsimore të rrethit, ku do të mblidhen të gjitha testet e plotësuara. Për korrigjimin e tyre do të përzgjidhet grupi më i mirë i mësuesve të lëndës nga ana e drejtorive arsimore. Pas mbylljes së kësaj procedure vlerësimi, do të hapen dhe numrat e regjistrimit të vendosur në çdo tezë, dhe secila drejtori, në bazë të listave emërore, identifikon rezultatet e nxënësve me emrat e tyre, të cilat u shpërndahen më pas shkollave.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›