Muzeu i Shkencave të Natyrës ne Gjykaten Kushtetuese
Jonida Tashi
Çështja e Muzeut të Shkencave do të kalojë në Gjykatën Kushtetuese, dhe nëse nuk gjen zgjidhje në këtë të fundit, edhe në Strasburg. Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë, se toka e Muzeut të Shkencave i takon ish-pronarëve ka reaguar rektori i Universitetit të Tiranës (UT), Dhori Kule. Kreu i UT-së bën të ditur se çështja duhet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese, madje dhe Strasburg, pasi vlera e specieve të muzeut është tepër e madhe.
Reagimi
“Zgjidhje për objektet që ndodhen brenda muzeut nuk kemi aktualisht, vetë muzeu shtronte një problem të përgjithshëm parimor për universitetet publike shqiptare, problemi i hipotekimit të pronave. Kemi marr vendimin që ti drejtohemi dhe Gjykatës Kushtetuese, dhe Strasburgut, pasi e gjykojmë që është një objekt me vlera të mëdha për Universitetin e Tiranës”,- deklaron Dhori Kule. Më tej, rektori Kule shprehet se gjatë gjithë këtyre viteve, nga drejtuesit e arsimit nuk është bërë asnjë investim. Një pjesë të përgjegjësisë për mungesën e investimeve, kreu i UT-së, ia le ish-drejtuesve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të cilët sipas tij, për vite të tëra, nuk investuan asgjë. Muzeu i Shkencave të Natyrës është i vetmi në vendin tonë. Që prej vitit 1948, në këtë muze, për vite me radhë janë vendosur rreth 100 mijë lloje speciesh të ndryshme. Por tashmë, ky muze duhet të mbyllë dyert për vizitorët e tij, pasi Gjykata e Lartë në Tiranë, ka vendosur që tokën ku është ngritur objekti, t’ia dorëzojë pronarit.
Vendimi
Vendimi gjykatës hodhi poshtë kërkesën e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të cilët kërkuan dhënien e statusit “Objekt i rëndësisë së veçantë” për Muzeun e Shkencave. Gjykata e Lartë shqyrtoi çështjen, ku në konflikt janë ish-pronarët dhe shteti. Duke u dhënë të drejtë ish-pronarëve të tokës ku është ndërtuar muzeu, Gjykata vendosi që shteti t’u paguajë qiranë nga viti 2001 deri sot ish-pronarëve. Para marrjes së vendimit nga gjykata, studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave protestuan para Gjykatës së Lartë duke kërkuar mbrojtjen e Muzeut të Shkencave me statusin e një objekti të rëndësisë së veçantë. Muzeu, i cili është i rrallë në rajonin tonë, llogarit një shumëllojshmëri speciesh të kapura në territorin shqiptar.
29 Prill 2009