Pronat, duhen 10 vjet për dëmshpërblimin financiar

Qeveria shqiptare në pesë vite ka arritur të dëmshpërblejë financiarisht vetëm 577 pronarë, nga 9065 pronarë që kërkojnë të kompensohen financiarisht për shpronësimin e tyre. Këto janë shifrat që jep vetë Ministria e Drejtësisë, gjatë një letërkëmbimi në emër të qeverisë me Gjykatën Europiane të Strasburgut, e cila ka marrë në shqyrtim shumë çështje të pronarëve shqiptarë.
Nisur nga të dhënat e kësaj ministrie, shtetit shqiptar i mbetet minimalisht për të dëmshpërblyer financiarisht edhe 8.488 pronarë që kërkojnë kompensim në të holla. Por këtu nuk llogaritet edhe shifra prej 14953 subjektesh, të cilët kërkojnë kompensim fizik për pronat e shpronësuara tashmë. E thënë ndryshe, nëse ecet me këtë ritëm, qeverisë shqiptare do t’i duhen më shumë se 10 vjet të dëmshpërblejë financiarisht pronarët, pa llogaritur këtu dëmshpërblimin fizik, i cili ende nuk ka nisur dhe kërkesat janë edhe më të larta.
Për Strasburgun, qeveria shqiptare bënë edhe një detajim në bazë të viteve mbi vlerën që ajo ka përdorur për dëmshpërblim dhe nga ana tjetër për numrin e subjekteve të kompensuar çdo vit. Kështu, sipas qeverisë, në vitin 2005 ajo ka harxhuar 209 215 623 lekë për të kompensuar 28 subjekte vetëm në Tiranë.
Në vitin 2006 janë derdhur nga buxheti 297 067 149 lekë për dëmshpërblimin e 59 subjekte në Tiranë dhe Kavajë, në 2007-n 499 999 994 lekë për 119 subjekte në të gjithë vendin. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, për 2008-n janë përdorur 497 518 493 lekë për 162 subjekte në të gjitha qarqet dhe në 2009-n 1 250 725 155 lekë për 209 subjekte.
Nga ana tjetër, për Strasburgun qeveria jep shifrën e 21 milionë dollarëve për kompensimin financiar në 2010-ën, por këtu harron të theksojë se ky fond është reduktuar ndjeshëm nga shkurtimet që po bëhen në buxhet. Ndonëse qeveria raporton se kompensimi financiar për këtë vit është në proces, pronarët bëjnë të ditur se për këtë vit ende nuk ka nisur kompensimi në lekë për asnjë nga subjektet e interesuara. Për të gjithë procesin e kompensimit financiar, pronarët shprehen se kanë pakënaqësi të mëdha, duke qenë se qeveria ende nuk ka dhënë një shifër të saktë sesa kërkohet për të kënaqur interesat e ish-pronarëve. Por ende nuk ka asnjë limit kohor për kryerjen e procesit të dëmshpërblimit.
#