Shkrepet arma relikte, rrezikohen vizitorët
VLORË - Paniku përfshiu të pranishmit në ambientet e muzeut historik të qytetit të Vlorës, teksa një prej vizitorëve ndërsa mbante në dorë një armë relikte të kohës së Luftës së Dytë Botërore, e shkrepi papritur pushkën, që mesa duket kishte në fole një plumb. Gjithçka ndodhi aq shpejt, saqë personat që vizitonin muzeun me rastin e Ditës së Trashëgimisë Kulturore, ditën e hënë, mundën vetëm të trembeshin nga krisma, të kthenin kokën e të shihnin një vrimë plumbi në mur. Sipas atyre që ndodheshin më pranë me personin që shkrepi armën, pushka kishte së paku tre plumba në brendësi të saj, edhe pse normalisht armët që ndodhen në muze duhet të jenë jashtë funksionit. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, pas marrjes së sinjalizimit, duke marrë deklarimet e disa prej të pranishmëve dhe punonjësve të muzeut. Duket se ende nuk ka një version të qartë për ngjarjen dhe ajo që është më e çuditshme në këtë mes, është fakti sesi ka mundësi që në armë të tilla të gjenden brenda fishekë?! Ajo që duhet zbardhur tashmë nga blutë e Vlorës është pikërisht ky fakt. Dëshmitarët në vendngjarje kanë saktësuar se një vizitor i rastit ka marrë armën, tip pushkë teke, që daton që prej Luftës së Dytë Botërore dhe e ka drejtuar nga muri. “Fatmirësisht, ai nuk ia drejtoi ndonjë personi që ndodhej aty, pasi në pak sekonda pushka u shkrep, duke bërë shumë zhurmë”, thanë disa prej personave që asistuan në këtë incident. Mësohet se pushka ndodhej jashtë pareteve prej xhami. Muzeu po vizitohej edhe nga fëmijë të shkollave të qytetit, të cilët në momentin që ndodhi ngjarja sapo ishin larguar.Punonjësit e muzeut: Krismë apo fishekzjarrë?Përgjegjësi i muzeumeve në Vlorë, Skënder Spahiu, ka sqaruar se të gjitha armët që janë në muze janë të inventarizuara. “Ato kontrollohen nga qendra e armatimit çdo vit dhe normalisht të gjitha këto janë të sabotuara, u hiqet gjilpëra dhe elemente të tjerë që e bëjnë funksionale”, u shpreh ai. I pyetur sesi ndodhi ngjarja që mund të kishte përfunduar edhe në tragjedi në rastin më të keq, ai nuk ka një version për të. “Unë e dëgjova, por nuk kam një version për ngjarjen. Policia erdhi dje disa herë, ndërsa nuk e di se çfarë po bëhet prej tyre”, sqaron Spahiu, duke shtuar se në momentin që u shkrep arma, në muze ndodheshin të paktën 30-40 persona, mes të cilëve punonjës të qendrës kulturore të qytetit, gazetarë të mediave lokale, të tjerë të interesuar etj. Burime konfidenciale nga policia kanë bërë me dije se ngjarja është nën hetim. Janë marrë deklarimet e disa personave, ndërsa duket se ka disa pikëpyetje të çuditshme. Kjo pasi disa punonjës kanë deklaruar se është dëgjuar një zhurmë e ngjashme me një krismë, por nga pohimet e tyre vihet në dyshim nëse ajo ishte krismë apo ndonjë fishekzjarr i hedhur nga jashtë. Gjithsesi, efektivët e policisë kanë marrë të gjitha deklarimet dhe çështja nuk është mbyllur, edhe pse informacioni është mbajtur disi i fshehtë në lidhje me këtë ngjarje.