Hetohet një rrjet ndërkombëtar kokaine
TIRANË - Eglant Muka dhe Eduart Smajli nuk kanë qenë të vetëm në trafikun e kokainës që vinte nga Argjentina me pako postare. Ata kanë qenë vetëm korrierët e sasisë që dyshohet se vinte tranzit nëpërmjet Gjermanisë. Burime të besueshme policore bënë të ditur për “Korrierin” se po hetohet një rrjet ndërkombëtar i trafikimit të lëndëve narkotike, që si origjinë ka Amerikën Latine. Po sipas këtyre burimeve, thuhet se pjesa më e rëndësishme e hetimeve po kryhet nga specialistë të Antidrogës gjermane, që janë përfshirë në hetime, për shkak se shteti gjerman dyshohet të jetë vendi nga ku kalon sasia e drogës, për të mbërritur më pas në Tiranë. Gjithashtu, dyshohet se veprimtaria kryhej prej afro një viti, po nëpërmjet të njëjtës mënyrë komode transporti, asaj të postës.HetimetArrestimet e tri ditëve më parë bënë publike mënyrën më të re të trafikimit të drogës. Pas kokainës në formë tretësire që futej në shishet e verës, Antidroga zbuloi se forma më e re ishte ajo e futjes së “mallit” në zarfe postarë e që nisej pa rënë në sy si ndonjë postë e zakonshme. Operacioni “Hasta la vista”, gjatë të cilit ranë në pranga Muka dhe Smajli, u hapi rrugë hetimeve për atë që dyshohej prej kohësh: një rrjet ndërkombëtar narkotikësh, i cili u zbulua dhe me ndihmën e Postës Shqiptare. Por pas arrestimit dhe gjatë marrjes në pyetje të tyre, dy të akuzuarit mësohet të kenë deklaruar fillimisht se nuk kanë qenë në dijeni të përmbajtjes së zarfit, por pa mundur të sqarojnë korrespondencën me shtetit e largët amerikano-jugor. Nga burimet bëhet e ditur se fillimisht sinjalizimi është dhënë nga policia gjermane, duke qenë se ajo kishte pasur informata se një trafik kokaine po zhvillohej nga Amerika Latine për në Shqipëri, duke u përdorur si vend tranzit shteti i tyre. Ndërkohë që po nga hetimet e deritanishme mësohet se transporti bëhej nga pak e shpesh, në mënyrë që mos të binte në sy pesha e pakos dhe që në pamje të parë të dukej si pako normale. Transporti dyshohet se bëhej prej disa muajsh, në të njëjtën sasi konstante, duke mos i rënë në sy askujt. Por nga korrespondenca e rregullt me shtetin shumë larg Shqipërisë dhe nga hetimet e palës gjermane nisën edhe hetimet nga ana e palës shqiptare, që arrestoi në flagrancë bashkëpunëtorët.ArrestimiKatër ditë më parë, policia e kryeqytetit nëpërmjet një njoftimi zyrtar raportoi se dy persona u arrestuan nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Operacioni i koduar “Hasta la vista” vuri në pranga 41-vjeçarin Eduart Smajli dhe 39-vjeçarin Eglant Muka, teksa u kapën duke tërhequr një pako postare, brenda së cilës ndodhej sasia prej 560 gramësh kokainë. Aksioni u realizua nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, policinë gjermane dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Origjina e drogës mësohet të jetë Argjentina, ndërkohë që pakoja ishte postuar në Gjermani, për t’u nisur më pas drejt destinacionit përfundimtar, Tiranës.