Përleshet me agresorin, në kllapi mjeku
VLORË - E kanë qëlluar tri-katër herë me thikë në grykë dhe pjesë të tjera të trupit, rrezikon jetën një nga mjekët më të njohur në qytetin e Vlorës. Kosta Koçi, 65 vjeç, mjek neurolog në spitalin e Vlorës, ka marrë goditje me thikë në grykë e trup nga një person ende i paidentifikuar nga policia e Vlorës. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 17:35 në lagjen “Hajro Cakërri” në qytetin e Vlorës, teksa mjeku ka dalë nga klinika e tij private, që ndodhet në afërsi të ambulancës qendrore të qytetit. Mësohet se shkak i daljes së mjekut nga klinika ishte kërkesa e një pacienteje për ta vizituar në shtëpi, ndaj edhe rruga e mjekut ka devijuar. Ai nuk i është drejtuar makinës së tij, por ka ndaluar dhe është takuar me një person tjetër, ndërsa në pak çaste është goditur prej tij me thikë. Më pas autori i ngjarjes është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, duke depërtuar në brendësi të lagjes. 65-vjeçari Kosta Koçi është transportuar me shpejtësi në spital nga kolegët e tij të ambulancës qendrore, ku është futur menjëherë në sallën e operacionit. “Ai është sjellë në spital i mbytur në gjak dhe na thanë se ishte plagosur me thikë”, thanë burime nga spitali, duke shtuar se menjëherë është transportuar për në sallën e reanimacionit. Sipas bluzave të bardha, gjendja e mjekut është tejet kritike për jetën, pasi ai ka humbur shumë gjak, për shkak të plagës së thellë që ka marrë në qafë. Policia lokale mbërriti në vendngjarje për të kryer ekspertizën ligjore, ndërsa ka evidentuar edhe dëshmitarë që kanë parë ngjarjen, të cilët janë duke u pyetur. Aktualisht nuk ka një pistë konkrete nga ana e policisë për rrethanat e ngjarjes, ndërsa vijon hetimi intensiv për të zbardhur krimin dhe për të identifikuar autorin. Mendohet që ngjarja të ketë lidhje me pakënaqësinë e ndonjë pacienti, ndoshta edhe me probleme mendore. Shpresa e efektivëve të policisë për identifikimin e autorit janë dëshmitë e personave që kanë qenë afër vendngjarjes, ose dalja e pacientit nga gjendja e rëndë për jetën. Drejtori i spitalit: “Neurologu është në gjendje shoku”Sipas drejtorit të spitalit të Vlorës, Luter Nuraj, bluzat e bardha kanë kryer ndërhyrje në pjesë të ndryshme të trupit të neurologut, nga të cilat duket se 65-vjeçari është përleshur trup me trup me agresorin. “Agresori e ka goditur disa herë në trup me thikë dhe ka qenë lëvizja dhe shkathtësia e mjekut që thika e ka zënë në disa vende të ndryshme dhe jo në ato jetike, pasi ai ka marrë goditje në dorë, dy herë në trup, ndërsa goditja më e rrezikshme është ajo në qafë. “Kosta ka nisur të reagojë pas operacionit dhe marrjes së gjakut, ku pulsin dhe zemrën i ka në parametra normalë, por është në gjendje shoku”, thotë Nuraj, sipas të cilit është në dispozicion edhe një helikopter për transportimin e mjekut në Tiranë, nëse do të jetë nevoja.