E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen tri prostitutat, seks me klientë VIP në Tiranë



Etleva Delia

Tri prostituta nga kryeqyteti, të cilat ishin kthyer në vajzat që bënin realitet ëndrrat seksuale të dhjetëra klientëve VIP në Tiranë, u arrestuan dje nga policia bashkë me dy shfrytëzuesit e tyre. Pas katër muajsh hetime nga seksioni i Trafiqeve të Paligjshme të Tiranës, operacioni është finalizuar dje me arrestimin e shtetasve Besim Lami e Gentian Buzi si dhe ndalimin e tri vajzave në një nga hotelet luksoze me pesë yje të Tiranës, pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Operacioni i koduar “Dritat e Natës” arrestoi dy djemtë që akuzohen për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”. Ata ishin dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale. Vajzat, të cilat paguheshin nga 200 deri në 400 euro për një akt seksual dhe kishin për klientë kryesisht shtetas të huaj me punë në Shqipëri, vinin nga një shtresë shoqërie e varfër. Të dëmtuarat josheshin nga premtimi për të ardhura të majme dhe pranonin “ofertën” e tutorëve, të cilët bënin ndërlidhësin më pas me klientët. Pasi merrnin “porosinë”, dy tutorët dërgonin më pas vajzat në dhomën ku prisnin klientët VIP.
Aksioni
Gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme të Tiranës, pas 4 muajsh hetime intensive, ka arrestuar me akuzat e “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese në bashkëpunim” të dyshuarin Besim Lami, 33 vjeç dhe Gentjan Buzi, gjithashtu 33 vjeç. Në këtë aksion janë arrestuar në flagrancë, duke ushtruar prostitucion në një prej hoteleve luksoze të Tiranës, vajzat me iniciale G.M., 24 vjeçe, O.C., 22 vjeçe dhe F.Ll., 23 vjeçe. Sipas policisë, tri vajzat janë dënuar edhe më parë për këtë vepër penale. Dy tutorët e tyre mësohet se ishin persona të dënuar edhe disa herë të tjera nga Krimet e Rënda për shfrytëzim prostitucioni. Ata akuzohen se përfitonin nga gjendja ekonomike e vajzave dhe i bindnin që rruga e vetme për të pasur para ishte që të kryenin prostitucion. Policia tha se në momentin e arrestimit, vajzave iu sekuestrua një shumë e konsiderueshme parash.
HETIMI
Burime të Policisë së Kryeqytetit thanë dje se pas hetimeve 4-mujore, për të arrestuarit Besim Lami dhe Gentian Buzi, u provua se kishin ndërtuar një rrjet të sofistikuar për shfrytëzimin seksual të shumë femrave. Sipas policisë, në të njëjtën mënyrë, duke shfrytëzuar vështirësitë ekonomike dhe problemet familjare të vajzave, dy të arrestuarit dyshohet të kenë shfrytëzuar për prostitucion edhe vajza të tjera. Pasi siguronin dhomat nëpër hotele luksoze në Tiranë, dy tutorët, u servirnin vajzave klientë të huaj dhe persona “VIP”, të cilit bënin edhe pagesa të larta për çdo akt seksual, që kryesisht realizohej gjatë natës. Policia tha se po vazhdon në bashkëpunim me prokurorinë për të dokumentuar tërësisht këtë aktivitet si dhe do të përgatiten materialet për konsumim të veprave penale të “Shfrytëzimit të Prostitucionit në rrethana rënduese në bashkëpunim”. Drejtoria e Policisë së Tiranës, tha se për Besim Lamin e Gentian Buzin po përgatiten materialet për t’i referuar edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për hetim pasuror, duke hetuar mbi asetet e përfituara nga kjo veprimtari.

TE ARRESTUAR

1. Besim Lami,33 vjeç
2. Gentjan Buzi,33 vjeç

Akuza “Shfrytëzim prostitucioni”, “Moskallëzim krimi”
3. G.M.,24 vjeç,
4. O.C,22 vjeç,
5. F.Ll,23 vjeç,
Akuza “Prostitucion”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›