Kamza, Lufta e ftohtë, Qarri-Mziu drejt fundit
Nga ILIR CARA
Duket se këtë javë do të përfundojnë edhe mosmarrëveshjet midis presidentit të Kamzës, Naim Qarrit dhe kryetarit të Bashkisë, Xhelal Mziut. Ky i fundit pas krijimit të një shoqërie tjetër futbolli me emër të ri të skuadrës është paraqitur në FSHF për të regjistruar atë në Kategorinë e Parë. Por përgjigja nga ana e drejtuesve të këtij institucioni ka qenë kategorike për ta regjistruar skuadrën e FC Kamzës, të krijuar nga kryebashkiaku i qytetit, në Kategorinë e Dytë, pasi ajo do të pranohet si një shoqëri e re dhe licenca do të jepet për këtë ligë, sipas rregullave të krijimit të një klubi të ri futbolli. Në këto kushte, kur duhet të shpëtohet futbolli i Kamzës, rrugëzgjidhje mbetet vetëm arritja e një marrëveshje midis presidentit Qarri dhe kreut të bashkisë Xhelal Mziut. Kjo është zgjidhja e vetme, që skuadra të regjistrohet aty ku mendohet se do të luajë sezonin e ardhshëm dhe për këtë arsye pritet që gjatë kësaj jave të arrihet akordi për të vazhduar bashkëpunimin dhe vazhdimin e përgatitjeve për nisjen e kampionatit të ri. Ndërkohë që skuadra e krijuar nga presidenti Qarri, e drejtuar nga trajneri Malko po vazhdon kryerjen e seancave stërvitore, gjithashtu po përgatitet edhe dokumentacioni i duhur për të bërë të gjitha federimet e futbollistëve që do të jenë pjesë e skuadrës gjatë edicionit të ardhshëm futbollistik.
