E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: “Rama akuzon me lejet e ndërtimit”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Raporti vjetor i Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë ka sjellë një sërë debatesh në seancën e djeshme plenare. Gjatë 60-minutësisht të lirë, deputetët e mazhorancës dhe opozitës theksuan pjesë të ndryshme të këtij raporti, duke kundërshtuar argumentet e njëri-tjetrit. Ministri i Financave, Ridvan Bode, duke përshëndetur raportin, tha se ai konfirmon progresin e konsiderueshëm të bërë nga qeveria shqiptare në procesin e anëtarësimit në NATO dhe reformave për në BE. Sipas Bodes, raporti përbën një inkurajim të madh për qeverinë në angazhimin e madh politik të saj për t iu bashkangjitur familjes evropiane, duke intensifikuar reformat e kryera deri tani, si ato në fushën fiskale, në uljen e nivelit të korrupsionit, etj. Por nuk ishte i këtij mendimi deputeti i PS-së, Taulant Balla. Ai theksoi faktin se raporti vlerëson me nota negative luftën e qeverisë kundër korrupsionit, mungesën e transparencës në emërimet në administratën publike, ndërhyrjet në sistemin gjyqësor në kundërshtim me ligjin, etj. Argumentet e tij janë kundërshtuar nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila akuzoi kryetarin e Bashkisë, por njëkohësisht dhe të PS-së, Edi Rama, për korrupsion. Sipas saj, vlerësimet në Raport në lidhje me lejet e ndërtimit dhe djegien e fondeve janë rezultat i politikave negative të ndjekura nga Bashkia.
Debati
Ministrja Bregu replikoi me opozitën duke theksuar se Qeveria është koshiente për kritikat e KE, por sipas saj, nuk duhet të shpërfillen arritjet e Qeverisë shqiptare që përmenden në Raport. Bregu tha se në Raportin e KE-së kritikohet puna e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës. “Për të mos mbetur tek parimi heshtja është pranim , sajoni një mijë e një argumente kundër. Por meqë jam e sigurt se nuk keni lexuar asgjë, po ju them se një nga pikat ku s ka progres, por regres në këtë dokument i përket kryetarit të pallatit të ëndrrave. Raporti thekson: Probleme të konsiderueshme mbeten lëshimi i lejeve të ndërtimit, të cilat kanë njohur një rënie të fortë prej 40% në vitin 2007. Nuk po them që ky është faji i opozitës, por është ama tipari identifikues i kryetarit të pallatit të ëndrrave”, - tha ajo, ndërsa shtoi se mazhoranca në dallim nga opozita pohon se koston e 40% më pak të lejeve të ndërtimit e mban Shqipëria dhe jo PS-ja. “Pavarësisht se kryetari i pallatit të ëndrrave kujton se PS-ja është vetë ai dhe se i takon të jetë e tij, edhe kur s ka kontribut në të, me të njëjtën logjikë që përdor me 15% që kërkon tek çdo leje që lëshon. Pretendon një gjë që s është e tij”, - tha ajo. Ministrja e Integrimit pohoi se janë një sërë projektesh të financuara me fonde të BE-së dhe të bllokuara nga mosdhënia e lejes së ndërtimit si Akademia e Policisë, shkollat për arsimin profesional dhe rinovimi i flotës detare në Durrës. Ajo pohoi më tej se mazhoranca nuk e mohon se korrupsioni mbetet ende problem serioz, por jo se Qeveria nuk ka punuar ende në këtë drejtim. “Na këshillohet të punojmë shumë për të shkulur me rrënjë korrupsionin në administratën tatimore, dogana. Krimi kundër luftës së organizuar mbetet problem serioz, por është miratuar një strategji kundër luftës së këtij krimi nga ana e qeverisë”, - tha ajo. Por këto argumente u kundërshtuan nga Balla. “Si mund të krenohet Qeveria për këtë progresraport ku aty nuk kishte progres. Raporti bën kritika për Parlamentin, për punën e qeverisë. Pjesa më e errët në raport është pikërisht korrupsioni. ...Shqipëria mbetet ende një lavatriçe korrupsioni”, - tha deputeti i PS-së.
Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›