E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin studimet pasuniversitare të nivelit të parë

Autori i Lajmit: red.
Pas më shumë se dy vitesh, studentët që janë diplomuar me sistemin 3-vjeçar kanë filluar dje studimet pasuniversitare në universitetet publike. Tarifat për studimet pasuniversitare variojnë nga 36 deri në 72 mijë lekë në vit. Kësisoj pas fillimit të vitit të ri arsimor në të gjitha nivelet, universitetet publike kanë hapur dyert për personat që kanë fituar të drejtën për të vazhduar studimet pasuniversitare. Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Shezai Rrrokaj, ka bërë të ditur fillimin e studimeve për masterin e nivelit të parë dega mësuesi dhe njëkohësisht fillimin e studimeve për diplomën e nivelit të dytë dega e gazetarisë. Për sa i përket masterit të nivelit të dytë, profesor Rrokaj, thotë se qeveria ende nuk e ka miratuar. Sipas profesor Rrokajt, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i ka të gjitha kushtet dhe burimet njerëzore për përballimin e fluksit që do të vijë si pasojë e hapjes së studimeve pasuniversitare. Ndërsa kërkon nga qeveria miratimin e të tjera tarifave për pedagogët e huaj që do të japin leksione në këto nivele diplomash. Tarifat për studimet pasuniversitare variojnë nga 36 mijë deri në 72 mijë lekë në vit. Këto studime do të ndiqen vetëm nga studentët që kanë mbaruar tre vjet të shkollës së lartë të përfshirë në sistemin e Bolonjës. Për marrjen e diplomës së këtij niveli këta kandidatë duhet të kenë grumbulluar në total për gjithë kohëzgjatjen e ciklit të studimeve rreth 180 kredite. Po dje nisën edhe programet e studimit Master të nivelit të parë në mësuesi për arsimin e mesëm në Fakultetet e Gjuhëve të Huaja, të Histori-Filologjisë dhe në Shkencat e Natyrës të Universitetit të Tiranës. Programet e studimeve Master të nivelit të parë, me kohëzgjatje 1 vit, në mësuesi për arsimin e mesëm, do të realizohen me 60 kredite. Sipas të dhënave të MASH, mësohet se janë miratuar 77 diploma të nivelit të dytë dhe 46 mastera të nivelit të parë.
Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›