E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha në OSBE: “Shqipëria dëshiron Presidencën më 2012”

Autori i Lajmit: red.
“OSBE-ja është vendi më i mirë ku promovohet demokracia, vlerat themeltare e të drejtave të njeriut, liritë, qeverisja e mirë dhe shteti i së drejtës, të rëndësishme të gjitha për sigurinë e një vendi”, - tha ministri i Jashtëm shqiptar, Lulëzim Basha, në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të këtij organizmi. Basha vlerësoi më poshtë në fjalën e tij se “OSBE-ja vazhdon të jetë një institucion i rëndësishëm për dialogun dhe bashkëpunimin e tolerancën e të gjitha palëve, që nuk e ka mbaruar misionin e vet si një organizëm që përhap siguri në të gjithë rajonin ku ushtron misionin e vet. Duke parë se siguria për të gjitha shtetet në botë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, parimet dhe vlerat që përhap OSBE-ja marrin një rëndësi të veçantë”, - tha Basha. Ministri shtoi më tej në fjalën e tij se “kemi akoma shumë rrugë për të bërë që këto vlera të adoptohen nga të gjitha vendet anëtare të OSBE-së”. Ai tha se është detyrë e këtij organizmi të japë përgjigje për krizën që po ndodh në Kaukaz, “për këtë, organizmi i OSBE-së ngelet një drejtues i domosdoshëm për sistemin e sigurisë në Evropë, dhe Shqipëria e mbështet plotësisht këtë rrugë”. Basha vlerësoi gjithashtu punën e kujdesshme të zyrës së OSBE-së në Shqipëri dhe mbështetjen që i ka dhënë vendit në periudhën e zgjedhjeve, reformave të ndryshme, si për projektin e Regjistrit Elektronik të popullatës. Basha ritheksoi edhe një herë se Qeveria shqiptare do të dëshironte që të merrte drejtimin e OSBE-së në vitin 2012. “Marrja e kryesimit të Presidencës nga ne do të jetë jo vetëm një demonstrim i vlerave dhe aftësive për t i shërbyer këtij organizmi me të cilin ka bashkëpunuar, që është ndihmuar dhe ka përfituar shumë nga struktura e tij, por edhe një mundësi më shumë për promovimin e interesave të vetë rajonit”, - përfundoi ministri Basha.

Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›