E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimtaret e Shkodres Deklaratat e Topit ndaj Topallit fyese dhe te padenja

Pas deklaratave fyese të presidentit Topi ndaj kryetares së Kuvendit Topalli dhe dialektit gegërisht, kanë mbërritur reagime nga shkrimtarët e Shkodrës.

Kështu, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Fadil Kraja e quan makiaveliste dëshirën e vazhdueshme për të denigruar gegërishten nga njerëz, ku ai përfshin dhe Presidentin e Republikës.

Kraja shton më tej, se këto janë deklarata fyese për gjithë shkodranët.

Ndërkaq, edhe pedagogu i Gjuhë-Letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Erzen Koperaj, është shprehur se gegërishtja duhet të respektohet.

Nga ana tjetër, një grup të rinjsh nga Shkodra me pankarta në duar ku citoheshin vargjet e At Gjergj Fishtës, Pashko Vasës, Migjenit, Martin Camajt, Ernest Koliqit etj, kanë protestuar siç u shprehen ata ndaj “gjenocidit që po i bëhet dialektit geg”.

Në një deklaratë të lexuar nga Bernardeta Syku, u tha se ky është vetëm fillimi i një reagimi qytetar.

Ndërsa Qendra Kulturore "Pjetër Gaci" në Shkodër, në një reagim të saj përmes një deklarate, shprehet se Topi duhet t’u kërkojë falje shkodranëve dhe Shkodrës, pasi deklaratat e tij janë të padenja për pozicionin e kreut të shtetit.

"Kërkojmë me forcë tërheqjen publikisht të deklaratave fyese ndaj dialektit shkodran, me të cilin penat e arta që Shkodra ka nxjerrë në shekuj, stolisën gjuhën shqipe!

Për 50 vjet rresht, do horra të tjerë që ti i dekoron "për kontribute të shquara" e i propozon për në majën e sistemit të drejtësisë, u përpoqën t'ia ndërrojnë gjuhën Shkodrës, dhe hynë deri në vorr për të zhduk deri edhe eshtrat e atyre që shkruan vargje të pavdekshme, por Shkodra është prapë aty, zonjë krenare për traditën", thuhet në deklaratën e qendrës "Pjetër Gaci".

Më tej, në këtë deklaratë thuhet se shkodranët e kanë humbur besimin tek presidenti i republikës, i cili sipas tyre mbështetjen, votën dhe besimin e Shkodrës anti-komuniste dhe të qindra mijëra demokratëve, e shpërdoroi paturpësisht për katër vjet, dhe e hodhi me dorën e tij kundër tyre më 8 maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›