Një kryeqytet në nevojë dhe një shtetar i dështuar
Dimri i pazakonshëm i këtij viti me ngrica dhe dëborëra të shpeshta ka shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin rrugor të Belgjikës. Drejtuesit e automjeteve ankohen se përdorimi i kripës e ka çarë asfaltin, duke hapur gropa ose vija uji kryq e tërthor autostradave, rrugëve dytësore a brendapërbrenda qyteteve. Tashti që pranvera ka filluar të trokasë në derë dhe kur duket se, sado që të bëjë, zgjatimi i dimrit do të jetë i pafuqishëm, kudo ka nisur riparimi i tyre. Në Bruksel, ngado që të udhëtosh, do të shohësh tabela që lajmërojnë shmangie drejtimi, të përkohshme, por të detyrueshme. Si me magji, sa hapet njëri drejtim ku ka përfunduar hedhja e asfaltit të ri, mbyllet tjetri. Kudo punohet, që qytetari të mos ndiejë asnjë bezdi nga pasojat e dimrit.
Po Tiranës a do t’i vijë vallë dita ta shohë veten krahas simotrave të saj perëndimore? Kjo është pyetja që i bëj rëndom vetes, sa herë shoh këtu punime, punime, punime... Punime kur askund nuk ka degjeneruar gjendja në atë farë feje që përjetojnë tiranasit. Ndaj ndjeva gëzim, kur mësova se së shpejti do të vihet dorë edhe në qendrën e kryeqytetit tonë.
Banorët e Tiranës, por edhe gjithë qytetarët shqiptarë, të cilëve nëmos njëherë, njëherë tjetër u bie të marrin rrugën për në kryeqytet, s’ka sesi të mos hidhen përpjetë nga gëzimi, kur të mësojnë se, më në fund, po i vjen radha edhe Sheshit Skënderbe të rehatohet nga çmenduria që e ka pushtuar vitet e fundit. Nisma e Kryeministrit që të vërë dorë qeveria mbi një plagë të hapur faqe gjithë botës, është për t’u përshëndetur prej të gjithë atyre që i thonë nënës - nënë, bukës - bukë, atdheut - atdhe. Tirana sot është, ndoshta, kryeqyteti më në nevojë në gjithë botën e qytetëruar. Sot, prej çmendurisë bashkiake, nuk po vuan vetëm Sheshi Skënderbe, i lënë pas dore në një mjerim që nuk e ka parë kurrë në jetën e vet. Prej saj, po vuan çdo shesh tjetër pranë qendrës ose në periferi të kryeqytetit, çdo rrugë e rrugicë, çdo lagje ku kanë vërshuar plehra si askurrë, ku enden qen të uritur, të zgjebosur, që duket sikur luten për diçka, ngase nuk kanë fuqi të sulmojnë.
Tirana ka nevojë për një shtetar që të vërë dorë në plagët e hapura, jo që të bëjë majmunin, duke kënduar Tirona jonë me djem të rinj nëpër salla spektaklesh në kryeqytetet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Me të drejtë, Kryeministri Berisha e quajti qendrën e kryeqytetit “një shesh, udhëtimi në të cilin është një udhëtim horror”. Cili tiranas, shkodran, korçar, vlonjat, pejan, prishtinas, tetovar, gostivaras, me një fjalë cili shqiptar, madje edhe i huaj, ka kaluar nëpër Sheshin Skënderbe, i ka ardhur rreth e qark “fortesës” së bashkisë së kryesuar nga Edi Rama, dhe ka mbetur indiferent ndaj asaj çka i kanë parë sytë? Kaos i papërshkrueshëm, gropa, pellgje me ujë, automjete që turren nga nuk ta merr mendja pa respektuar asnjë rregull, semaforë që herë punojnë dhe herë jo, shitës ambulantë me tezga e pa tezga, kambistë me tufa parash nëpër duar, park lodrash për fëmijë, lypsarë që të zgjatin duart në çdo hap, bori veturash nga më të çuditshmet. Mbi të gjitha, një re pluhuri ri pezull mbi shesh ditë e natë, dimë e verë. U ri pezull turmave të njerëzve që vijë tutje-tëhu, Teatrit të Operës e Baletit, Bibliotekës Kombëtare, Xhamisë - Monument Kulture, Hotelit Tirana Internacional, Muzeut Historik Kombëtar, Bankës Qendrore, Ministrive, Bashkisë së Edi Ramës. I rendita gjithë këto, jo që të ha kohën e lexuesit të nderuar, por që t’i kujtoj se sa e madhe është dendësia e objekteve qeverisëse, qendrore ose vendore, ekonomike e financiare, kulturore, religjioze etj., brena një sipërfaqeje aq të vogël, dhe sa e paarritshme është ligësia e atij që mendon ditë e natë të njollosë një kryeministër suksesshëm, ngase i ka shkrepur të bëhet vetë kryeministër. I Madhi Skënderbe, që i ka dhënë emrin Sheshit, nuk e meriton këtë “nder” të Edi Ramës. Nuk e meriton të jetë dëshmitar i katrahurës që i ka shkrepur në kokë kryetarit të Bashkisë t’u shkaktojë qytetarëve që e zgjodhën si të parë për t’u vënë vetulla, ndërsa ai po u nxjerr sytë. Të dhemb në shpirt ta shohësh përmendoren e Heroit tonë Kombëtar veshur prej vitesh me shtresa të trasha pluhuri, të cilat u kalojnë stinëve në mënyrë të ndërsjelltë, duke u baltosur nga lagështia e pranverës a e vjeshtës dhe duke u çimentuar në nën zhegun përvëlues të verës. Po të huajt që venë e vijnë në Tiranë për ta afruar Shqipërinë me botën e qytetëruar, çfarë mendojnë, vallë?
Makthi e ndjek njeriun pas edhe kur ai t’i ketë kthyer krahët atij sheshi që duhet të ishte krenaria e Tiranës, por që po shndërrohet dita-ditës në turp për gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Le që, çka po them? Makth, tashmë, na është bërë vetë figura e Ramës sa herë na shfaqet në ekranin e televizorit. Na është bërë makth dhe, njëherësh, pikëpyetje pa përgjigje. Me çfarë merret Edi Rama? Me punët e Bashkisë? Fare! Me Partinë? Shihni ku e ka katandisur! Me grupin parlamentar? A ka grup parlamentar? Me afera të dyshimta? Ashtu thuhet, por Prokuroria, deri sot, nuk di gjë.
Nuk besoj të ketë më analist politik a opinionist të çiltër të parashikojë se për çfarë tjetër i punon mendja Edi Ramës, përpos kurtheve, përpos kryeneçësive, befasive djallëzore, intrigave antikombëtare, sharjeve pa fre drejtuar kundërshtarëve politikë apo të vetëve.
Nëse dikush beson, siç thuhej në shtypin e djeshëm, se Blendi Klosi i doli nga vatha kryetarit të partisë, gabon rëndë. Kështu u tha edhe për Blushin, edhe për Malajn, edhe për Islamin e ndonjë tjetër. Mirëpo ata janë ende brenda vathës dhe, ndoshta, më të bindur se kurrë. Për Ramën, është në stilin e tij të punës për të administruar partinë që kryeson, t’i vërë në lojë ata që e zgjodhën, t’i bëjë qesharakë përpara opinionit, t’i djegë ose t’i shkrumbojë fare, ngase i ka nën vete.
Në këtë kontekst do ta shihja edhe deklaratën e fundit të Blendi Klosit. Ajo ngjan më tepër si një parathënie e dëshpërimit të Edi Ramës përpara trysnisë së gjithanshme për t’u tërhequr nga paranoja tij e bojkotit. Nuk do të ishte aspak e besueshme që në rrethin e ngushtë të kryetarit të PS-së të dalë kush që të guxojë të hedhë vickla. Mjafton të lexojmë: “Bojkoti i ka dhënë frytet e tij, PS ndihet tashmë shumë më e fortë në kauzën e saj, shumë herë më e fortë për sa i përket raportit me këdo...” Në fillim të marsit, e dëgjuam këtë refren edhe nga tellallë të tjerë të Ramës. Askush nuk e besoi, as ai që e konceptoi, as ata që e thanë, përveç ndoshta ndonjë grushti militantësh injorantë që shkojnë nga t’i drejtojë dashi i këmborës. Deklarata të tilla mburravece duhen marrë vetëm si autosugjestion për të thënë se edhe PS-ja po bën politikë. Njerëzit duan vepra, jo fjalë, pale më kinse politikë.
...