Bonusi i strehimit, ndarja e 140 përfituesve sipas minibashkive
Jonida Tashi
Bashkia e Tiranës detajon shpërndarjen e përfituesve të bonusit të strehimit sipas 11 minibashkive të kryeqytetit. Nëpërmjet bonusit të strehimit (ose qirasë) që nga viti 2007 e në vazhdim trajtohen 140 familje, të cilat plotësojnë kushtet për t’u përfshirë në këtë skemë përfitimi. Bashkia e Tiranës e ofron këtë program strehimi vetëm për qytetarët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut. Në këtë mënyrë, Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus strehimi deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Por megjithëse numri total i përfituesve për çdo vit nga bonusi i strehimit është 140, ndarja e tyre sipas njësive bashkiake të Tiranës nuk është e barabartë. Kështu, sipas shpërndarjes së përfituesve nga bonusi i qirasë, pjesa më e madhe e tyre i takon Njësisë Bashkiake nr.1, për të cilën janë caktuar 49 familje të trajtuara. Pas Minibashkisë nr.1, më shumë përfitues nga bonusi i strehimit ka edhe Njësia Bashkiake nr.9, 17 familje të trajtuara. Ndërsa për njësitë e tjera bashkiake të Tiranës numri i përfituesve është më i kufizuar. Për më tepër ky numër varion nga 4-11 familje të trajtuara për çdo njësi.
Bonus strehimi
Bonus strehimi është dokumenti që përcakton një shumë të hollash, që i takojnë një familjeje, si ndihmë nga shteti, për të mbuluar pjesërisht pagesën e qirave. Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan, kjo e fundit. Vlera e bonusit të strehimit nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e qirasë minimale të banesave në tregun e lirë, për bashkinë ku jepet ky bonus. Vlera maksimale përcaktohet çdo vit, bazuar në të dhënat e vitit të mëparshëm dhe miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak. Të gjithë qytetarët e interesuar për t’u trajtuar me këtë program, mund të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar pranë Bashkisë së Tiranës, i cili shqyrtohet fillimisht nga Sektori i Strehimit në Drejtorinë e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social dhe pastaj vlerësohet nga Komisioni i Strehimit ngritur me vendim të Këshillit Bashkiak nr.63, datë 08.11.2005 “Për miratimin e Komisionit të Strehimit” (i ndryshuar), në përbërje të të cilit, sikurse parashikohet në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.53, datë 28.01.2005 për “Përcaktimin e dokumentacionit të nevojshëm, afateve dhe procedurave për të përfituar strehim nga programet e banesave sociale me qira”, pika 4, marrin pjesë përfaqësues nga organizata jofitimprurëse, të cilat mbrojnë interesat e grupeve të ndryshme sociale. Më pas është Këshilli Bashkiak i Tiranës si organi vendimmarrës, i cili shqyrton dhe miraton listën e përfituesve për programin e bonusit të strehimit.
Dokumentacioni
Dosja e aplikimit për të përfituar nga trajtimi me bonos strehimi përfshin një listë të gjatë dokumentacioni, mbi bazën e të cilit bëhet edhe përzgjedhja e përfituesve. Janë plot 21 dokumente që qytetarët e interesuar për t’u përfshirë në Programin e Bonusit të Strehimit, duhet të depozitojnë pranë Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që aplikimi i tyre të jetë i plotë. Më konkretisht lista e dokumenteve që duhet të përm,bajt dosja e aplikimi për bosku strehimi është si më poshtë: certifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992; certifikatë aktuale të përbërjes familjare; certifikatë lindjeje personale të aplikuesit; vërtetim banimi nga Njësia Bashkiake ku kërkon strehim, ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit; vërtetim të ardhurash (neto të familjes); vërtetim page për aplikantin si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes të cilët janë në marrëdhënie pune; dokumentacion nga organet Tatimore dhe Sigurimet Shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njëri nga anëtarët është i vetëpunësuar; vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga Njësia Bashkiake, nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike; vërtetim nga Zyra e Punës, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë; vërtetim nga Sigurimet Shoqërore, për personat e dalë në pension; vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit; vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës, se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila nuk mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi; dokument zyrtar të celebrimit dhe certifikatën personale, për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja; vendimin gjykate për fëmijët në ngarkim për çiftet e divorcuara;
vërtetim të Statusit të Jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status; vendim nga Komisioni Mjekësor për personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen sipas pikës d, neni 5 i ligjit nr.9232, datë 13.05.2004; vërtetim nga Kadastra e rrethit nëse ka përfituar ose jo nga ligji nr.7501, “Për tokën”, për të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes; vërtetim nga Zyra e Tatim Taksave nëse është ose jo, subjekt i taksës së vlerës së shtuar, për të gjithë anëtarët e familjes; vërtetim nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës, llogarisë dhe Hipotekës nëse ka blerë, ose jo truall nga shteti për ndërtim banese, për të gjithë anëtarët e familjes; deklaratë personale e noterizuar ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme; kontratë qiraje të banesës ku jetoni (nëse disponohet).
Shpërndarja e të trajtuarve me Programin e Bonusit të Strehimit, sipas njësive bashkiake:
Njësia Bashkiake nr. 1 49 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 2 7 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 3 4 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 4 8 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 5 10 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 6 11 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 7 11 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 8 8 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 9 17 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 10 8 familje të trajtuara
Njësia Bashkiake nr. 11 7 familje të trajtuara
21 Prill 2010