Doktoraturat, miratohen 600 kuota për tre fakultete të Universitetit të Tiranës
Jonida Tashi
Miratohen kuotat e doktoraturës për tre fakultete të Universiteti të Tiranës, për vitin akademik 2009-2010. Së fundi janë botuar në Fletoren Zyrtare dy vendime të marra nga Këshilli i Ministrave në fillim muajit mars të këtij viti, në të cilat përcaktohen kuotat e pranimit për programet e Doktoraturës në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin e Drejtësisë. Sipas vendimit të qeverisë, në Fakultetin e Shkencave Sociale, gjatë këtij viti akademik do të ofrohen pesë programe studimi të ciklit të tretë, për të cilat, kuota totale e pranimit do të jetë 120 kandidatë. Më konkretisht ndarja e kuotave të doktoraturës sipas programeve të studimit për Shkencat Sociale është: Doktoratë në Filozofi 24; Doktoratë në Sociologji 34; Doktoratë në Pedagogji 19; Doktoratë në Psikologji 23; Doktoratë në Punë sociale 20. Ndërsa në Fakultetin e Drejtësisë, për vitin akademik 2009-2010, kuota e doktoraturës janë gjithsej, 100, prej të cilave 19 për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë vendit. Ndarja e këtyre kuotave sipas programeve të
studimeve, është, si më poshtë vijon: Doktoratë në Shkenca juridike civile 32 kuota; Doktoratë në Shkencat penale 32 kuota; Doktoratë në E drejta publike 36 kuota.
Mjekësia
Mjekësia është i vetmi fakultet i Universitetit të Tiranës, për të cilin kuotat e pranimit në studimet e ciklit të tretë janë disa herë më të larta karshi fakulteteve të tjera, kjo edhe për shkak të numrit të madh të programeve të Doktoraturës që ai ofron. Kështu, për vitin aktual, në këtë fakultet do të pranohen plot 378 kandidatë për të vijuar studimet e Doktoratës. Sipas vendimit të qeverisë, për Fakulteti i Mjekësisë kuotat sipas programeve të studimit janë si më poshtë: Doktoratë në studime të thelluara në farmakologji, fiziologji, fiziologji patologjike 10; Doktoratë në studime të thelluara të aspekteve epidemiologjike, diagnostike dhe terapeutike të sëmundjeve infektive, emergjente dhe riemergjente 17; Doktoratë në shëndet publik 16; Doktoratë në studime të thelluara të aspekteve epidemiologjike, diagnostike dhe terapeutike të sëmundjeve të lëkurës 13; Doktoratë në studime të thelluara dhe kërkime në otorinolaringologji 10; Doktoratë me studime të thelluara në kardiologji 19; Doktoratë në studime në patologji oro-maxilo-faciale 43; Doktoratë në studime në neuroshkencë 23; Doktoratë në studime në obstetrikë-gjinekologji 17; Doktoratë në mjekësi laboratorike 26; Doktoratë në morfologji klinike 17; Doktoratë në sëmundjet kirurgjikale 48; Doktoratë në kardiokirurgji 4; Doktoratë në imazheri 14; Doktoratë në anatomi patologjike dhe mjekësi ligjore 14; Doktoratë në sëmundjet e syrit 16; Doktoratë në pediatri 30; Doktoratë në shkencat farmaceutike 13; Doktoratë në sëmundjet e brendshme 28.
Procedurat
Pak kohë më parë, Ministria e Arsimit ka përcaktuar të gjitha procedurat që duhet të ndiqen për të aplikuar për studimet e Doktoraturës. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, nr.21, datë 30 korrik 2009, MASH-i detajon të gjitha procedurat që duhet të zbatojnë të interesuarit për të vijuar doktoraturën. Kështu, sipas udhëzimit të MASH-it, pranimi i kandidatëve në programet e studimit të Doktoratës do të bëhet duke iu referuar kuotave të dhëna për programin përkatës për çdo universitet. Pikësëpari për t’u pranuar në një program studimi të doktoratës, kandidati duhet të zotërojë një Diplomë të Nivelit të Dytë (DND), një Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë (DIND), dhe çdo diplomë tjetër të vlerësuar si të njëvlershme me to, në fushën e programit të doktoratës apo në një fushë të përafërt të përcaktuar më parë në rregulloren e programit përkatës të doktoratës. Gjithashtu kanë të drejtë të pranohen në programe të doktoratës edhe ata kandidatë që zotërojnë një diplomë apo certifikatë të kualifikimeve të ciklit të tretë të studimeve. Pasi të marrin paraprakisht mendimin e këshillit të profesorëve, njësitë kryesore të universiteteve do të përcaktojnë kriteret e pranimit të kandidatëve. Me caktimin e kuotave nga Këshilli i Ministrave për një program studimi doktorate, universiteti duhet të shpall menjëherë hapjen e procedurës së pranimit të kërkesave për një periudhë 2- javore. Aplikimi për regjistrim në programet e doktoratës do të bëhet pranë sekretarive të universiteteve që ofrojnë këto studime. Përzgjedhja e kandidatëve për të vijuar studimet e doktoratës do të bëhet nga këshilli i profesorëve të njësisë kryesore të institucioneve të arsimit të lartë përgjegjëse për organizimin e programit përkatës të doktoratës nëpërmjet një konkurrimi me dosje, ku kandidatët nga personeli akademik të punësuar me kohë të plotë në institucionet e arsimit të lartë kanë përparësi. Këshilli i profesorëve të njësisë kryesore përgjegjëse për programin e doktoratës ngre komisione “Ad-hoc” me anëtarë të tij sipas fushës përkatëse të çdo programi doktorate për përzgjedhjen e kandidatëve fitues në përputhje me kriteret e pranimit të vendosura dhe të shpallura publikisht më parë. Kryetari i çdo komisioni të tillë është dekani. Një javë pas mbylljes së aplikimeve, komisionet “Ad-hoc” paraqesin listat e kandidatëve fitues në këshillin e profesorëve të njësisë kryesore. Listat e kandidatëve fitues miratohen nga
këshilli i profesorëve dhe shpallen nga dekani jo më vonë se 2 javë nga mbyllja e aplikimeve. Dekani i njësisë kryesore përcakton afatet e ankimimit të kandidatëve të shpallur jo fitues. Këshilli i profesorëve shqyrton çdo ankimim dhe shprehet me vendim. Vendimi i tij është përfundimtar.
Dokumentet e aplikimit
Kandidatët do të aplikojnë për t’u regjistruar në një program studimi doktorate me dosje individuale, e cila duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:
Kërkesa e kandidatit drejtuar këshillit të profesorëve të njësisë kryesore përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e doktoratës
CV personale dhe bibliografi të punimeve shkencore, të cilat duhet të jenë të dokumentuara, nëse kandidati ka të tilla
Kopje të noterizuar të diplomës së nivelit të dytë(DND) apo të Diplomës së Integruar të Nivelit të Dytë, apo të një diplome tjetër studimi, ekuivalente me to, të shoqëruar me listën e notave apo suplementin e diplomës. Diploma e huaj shoqërohet me vërtetimin e njohjes nga MASH-i
Kopje të noterizuar të diplomave apo certifikatave të kualifikimeve të ciklit të tretë apo të një diplome ose certifikate ekuivalente me to, shoqëruar me listën e notave apo suplementin e diplomës, nëse kandidati disponon një të tillë
Vërtetim për vazhdimin e programeve të studimit të specializimit, së bashku me listën e notave të fituara deri në atë moment, nëse kandidati është duke ndjekur një program të tillë
Fotokopje të noterizuar të kartës së indentitetit/pasaportës
Dy fotografi
Dy rekomandime nga persona me titull akademik
Një deklaratë që pranon të shlyejë të gjitha detyrimet financiare lidhur me koston e këtyre studimeve, sipas përcaktimeve të bëra nga vetë institucioni
Dëshmi të gjuhës/gjuhëve të huaja (fotokopje të noterizuar)
Vërtetim nga qendra e punës, nëse është i punësuar
Mandat për tarifën e aplikimit për konkurrim prej 2000 lekë
Kuotat për vitin 2009-2010
Fakulteti i Shkencave Sociale
Doktoratë në Filozofi 24
Doktoratë në Sociologji 34
Doktoratë në Pedagogji 19
Doktoratë në Psikologji 23
Doktoratë në Punë sociale 20
Fakulteti i Drejtësisë
Doktoratë në Shkenca juridike civile 32 kuota
Doktoratë në Shkencat penale 32 kuota
Doktoratë në E drejta publike 36 kuota
Fakulteti i Mjekësisë
Doktoratë në studime të thelluara në farmakologji, fiziologji, fiziologji patologjike 10
Doktoratë në studime të thelluara të aspekteve epidemiologjike, diagnostike dhe terapeutike të sëmundjeve infektive, emergjente dhe riemergjente 17
Doktoratë në shëndet publik 16
Doktoratë në studime të thelluara të aspekteve epidemiologjike, diagnostike dhe terapeutike të sëmundjeve të lëkurës 13
Doktoratë në studime të thelluara dhe kërkime në otorinolaringologji 10
Doktoratë me studime të thelluara në kardiologji 19
Doktoratë në studime në patologji oro-maxilo-faciale 43
Doktoratë në studime në neuroshkencë 23
Doktoratë në studime në obstetrikë-gjinekologji 17
Doktoratë në mjekësi laboratorike 26
Doktoratë në morfologji klinike 17
Doktoratë në sëmundjet kirurgjikale 48
Doktoratë në kardiokirurgji 4
Doktoratë në imazheri 14
Doktoratë në anatomi patologjike dhe mjekësi ligjore 14
Doktoratë në sëmundjet e syrit 16
Doktoratë në pediatri 30
Doktoratë në shkencat farmaceutike 13
Doktoratë në sëmundjet e brendshme 28
21 Prill 2010