Shkrimtarët e migrimit kthehen në Tiranë
Gëzim Hajdari, Artur Spanjolli, Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi, Arben Dedja etj., janë vetëm disa nga emrat që kanë zgjedhur italishten si gjuhën e tyre letrare. Shkruajnë prozë e poezi, u janë hapur dyert e shtëpive të njohura botuese e janë vënë në një dialogim artistik me lexuesin italian. Veprat e shumicës prej tyre nuk njihen ende për lexuesin shqiptar. Letërsia e migrimit, e bërë jo vetëm nga shqiptarë, prej 20 vjetësh është kthyer në një fenomen letrar, por edhe gjuhësor për Italinë. Mbi të gjitha nga studiuesit, ata që hartojnë politika-kulturore e arsimore, por edhe nga vetë lexuesi, konsiderohet si një instrument komunikimi mes popujve. Pikërisht në këtë kuadër, vënë edhe në kontekstin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, në Tiranë do të organizohet një sallon libri (nga data 22 deri në 25 prill) dhe tryeza të rrumbullakëta me shkrimtarë shqiptarë italofonë dhe italianë të ftuar për këto aktivitete. Veprimtaritë e përfshira në programin e shumtë të aktiviteteve të organizuara nën moton “Dy popuj, një det, një miqësi”, do të sjellin në Tiranë shkrimtarin italian, Raffaele Nigro, Silvana de Mari, arbëreshin Carmine Abate dhe dy shkrimtarë shqiptarë, si Sokol dhe Valbona Jakova. Në datën 23 prill, me shkrimtarët shqiptarë që kanë zgjedhur të shkruajnë italisht dhe studiues të letërsisë, do të mbahet një takim i titulluar “Letërsia dhe integrimi 1990-2010; letërsia e emigrantëve italofonë mbush 20 vjeç”, moderuar nga shkrimtarja Diana çuli, ndërkohë që para se këtij takimi t’i bashkohen në mesditë në Galerinë e Arteve edhe shkrimtarët italianë, ata do të kenë më parë një takim me studentët e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin Filologjik, moderuar nga studiuesja Dhurata Shehri. Si pjesë e këtij komunikimi është parashikuar që dy shkrimtarët shqiptarë, Amik Kasoruho dhe Arben Dedja, të kenë takime me studentët e Shkodrës dhe të Korçës. Vito Stigliani, drejtor i zyrës për bashkëpunimin arsimor pranë Ambasadës Italiane, e quan letërsinë e migrimit një fenomen të ri për vendin e tij. Fenomeni është relativisht i ri, ka filluar 20 vjet më parë dhe nuk është i lidhur me fenomene historike, siç mund të jetë prezenca italiane në vitet e shkuara. Janë vetëm disa burra e gra që kanë emigruar në Itali për shumë arsye, kanë zgjedhur të jetojnë në këtë vend, janë integruar dhe i kanë dhënë përmes talentit të tyre një kontribut letërsisë italiane”, shprehet Stigliani. Pjesë e këtij fenomeni janë shkrimtarët somalezë, irakianë, paraguaianë etj. Ata prezantohen në tregun e librit të barabartë me shkrimtarët italianë apo të tjerë të huaj, përballë një lexuesi që ende nuk është mësuar me këtë fenomen. Këta shkrimtarë kanë zgjedhur italishten, konsideruar si gjuha e kulturës, për t’u shprehur, për t’i ofruar një lexuesi të huaj pjesë të kulturës së tyre dhe për të nisur një rrugë dialogimi që përjashton kombësitë. A është i interesuar lexuesi italian ndaj letërsisë së migrimit, asaj që bëjnë shqiptarët, por edhe të tjerët? Vito Stigliani shprehet se është e pashmangshme që në rrugën që kanë zgjedhur këta italofonë të përballen me qëndresën që publiku italian, ende i pamësuar me këtë fenomen, mund t’i bëjë veprës së tyre. “Krahasuar me lexuesit e vendeve të tjera, si për shembull ata francezë, lexuesit tanë nuk janë mësuar, ashtu siç nuk jemi mësuar me këtë prezencë emigrantësh. Por unë si lexues jam krenar të di se Anilda Ibrahimi apo Kasoruho kanë zgjedhur gjuhën time për të shprehur emocionet e tyre, për të shprehur ndjenjat, për të bërë të njohur botën e tyre, por edhe tonën. Fakti që janë publikuar nga shtëpi botuese të rëndësishme, si ‘Enaudi’, është një përcaktues për suksesin në marrëdhënie me publikun”, shprehet Stigliani. Kjo letërsi migrimi nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së studiuesve. Disa e rrokin në kuadër tërësor, disa letërsi me “origjinë shqiptare”. Kjo e fundit është kryesisht e studiuesve arbëreshë, pjesë e disa universiteteve në Itali. Mia Lecomte, e cila do të jetë e pranishme në Tiranë gjatë ditëve të sallonit të librit, është një nga studiueset më të njohura të letërsisë që i është dedikuar këtij fenomeni. “Në kufijtë e vargut” është vepra e saj studimore dedikuar shkrimtarëve të kombësive të ndryshme që kanë zgjedhur italishten për të shkruar. “Këta burra e gra çojnë një limfë të re në vendin ku kanë zgjedhur për të jetuar. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin për të krijuar për brezat e ardhshëm një planet në paqe”, shprehet Vito Stigliani. Këto ditë të librit në Tiranë do të synojnë të përcjellin pikërisht këtë mesazh.
#