Albin Kurti: Po shqyrtojmë mundësitë për të hyrë në zgjedhje
Lëvizja “Vetëvendosje!” mund të shndërrohet së shpejti në një parti politike. Lideri i lëvizjes, Albin Kurti, e deklaron këtë në intervistën e dhënë për gazetën “Shqip”. “Meqë pavarësisë formale të shpallur nuk po i shtohet sovraniteti dhe integriteti territorial, asaj po i rrjedh edhe formaliteti”, thotë Kurti duke argumentuar diskutimin që ka nisur brenda “Vetëvendosjes!” për të marrë pjesë në zgjedhje e për të synuar pushtetin. Kurti sqaron gjithashtu pozicionin e tij si “person në kërkim” nga EULEX-i dhe “fshehjen” në publik.
Zoti Kurti, le ta nisim nga pozita në të cilën gjendeni sot e disa ditë si person i kërkuar. A jeni aktualisht në Kosovë?
Në Kosovë jam për çdo ditë. Më së shumti, në Prishtinë. Në muajt shkurt, mars e prill, nuk kam qenë jashtë Kosovës.
Gjykatësi i EULEX-it, de Mongeot, lëshoi një urdhër-arrest të ri ndaj jush, duke iu bërë njeriun më të kërkuar nga drejtësia e Kosovës. Ju do të vazhdoni të “fshiheni” apo do të kërkoni azil?
Nuk e kam bash të qartë pse lëshojnë kaq shpesh flet-arreste të reja. Besoj që një flet-arrest do të mjaftonte deri në arrest. Ka mundësi që këtë e bëjnë që ta shtojnë trysninë mbi policinë, e cila nuk duket aq e vullnetshme për të më arrestuar. Thjesht, edhe policët e kanë parë padrejtësinë e këtij persekutimi të cilit EULEX-i përpiqet t’i japë formë ligjore. Po ashtu, 175.000 nënshkrime në peticionin që kërkon mbylljen e gjykimit dhe hapjen e hetimeve për vrasjet e 10 shkurtit 2007, sigurisht që kanë ndikuar edhe te policët. Madje, ka jo pak policë që e kanë nënshkruar këtë peticion.
Unë vazhdoj të ‘fshihem’ gjithandej nëpër Kosovë, nëpër tubime e takime publike në kuadër të aktiviteteve të rregullta të lëvizjes “Vetëvendosje!”. Nuk lejoj që të ma ndryshojë kollaj jetën e orarin e veprimtarisë ky proces.
Odiseja juaj gjyqësore duket si skenar i një teatri absurd, ku po kuptojnë pak publiku në Kosovë dhe aq më pak ai në Shqipëri. Cila është e vërteta e kësaj çështjeje, e cila është kthyer tashmë në një rast për të mbrojtur dinjitetin e EULEX-it dhe të Zyrës Ndërkombëtare?
EULEX-i, si një trashëgimtar i UNMIK-ut, e riaktualizoi lëndën kundër meje, lidhur me demonstratën e 10 shkurtit 2007. Atëbotë, procesi pat ngecur, meqë askush nga Oda e Avokatëve të Kosovës nuk pranoi që të më mbronte më, duke iu përgjigjur kësisoj pozitivisht thirrjes sime. Paraprakisht, 6 avokatë sipas detyrës zyrtare të caktuar nga UNMIK-u, ishin ndërruar njëri pas tjetrit deri në pikën kur secili ishte bindur që, në fakt, nuk janë ftuar të më mbrojnë, por që ta legjitimojnë një proces të gatuar më herët. Mirëpo, edhe dëshmitari kryesor i prokurorisë, polici kosovar Ismet Hajdini, pat deklaruar plotësisht në favor timin. Procesi u bë skandaloz dhe kolapsoi. Më kishin mbajtur në burg për 5 muaj dhe 5 të tjerë në arrest shtëpiak. Gjatë 5 muajve sa isha në burg më kanë marrë në pyetje vetëm një herë për 30 minuta, duke vërtetuar kështu se qëllimi i tyre nuk ishte zbulimi i së vërtetës a drejtësia, por izolimi im politik. Më patën liruar 9 ditë para se të shpallej pavarësia e Kosovës.
Akuza ndaj jush është “pjesëmarrje” në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-s, në të cilat u vranë dy protestues. Ky formulim ekziston në Kodin Penal të ri të Republikës së Kosovës, pasi duket paksa si një akuzë politike e ish-Jugosllavisë së vjetër...
Akuza e parë është ‘tentim për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm’. Në fakt, rrezik të përgjithshëm më 10 shkurt 2007 patën shkaktuar policët e UNMIK-ut. Atë ditë në demonstruesit duarthatë janë shkrepur gjithsej 232 plumba gome, me afat të skaduar që prej 12 vjetësh, në kokë ose në pjesën e sipërme të trupit, nga afërsia dhe derisa masa po tërhiqej. Akuza e dytë është: pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Policët rumunë të UNMIK-ut kanë pasur urdhër për të vrarë, por edhe leje për të ikur nga vendi krimit. Ish-kreu i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, nuk ua pat hequr imunitetin, ndërsa Kryeprokurori i UNMIK-ut, Robert Dean, i pat marrë në pyetje vetëm si dëshmitarë e jo si të dyshuar policët rumunë. Ata u kthyen në Rumani, duke i marrë me vete pushkët me të cilat kishin vrarë dhe atje mandej u dekoruan për punën që kishin bërë në Kosovë! Unë do të kisha dashur shumë sikur të kisha mundur që t’i pengoj policët e UNMIK-ut në kryerjen e kësaj detyre zyrtare të tyre. Sa i përket asaj akuzës së tretë, ‘thirrje për rezistencë’ i kam thënë prokurorit ndërkombëtar që këtë gjë e përjetoj si kompliment.
Këto akuza janë në bazë të Kodit Penal të Kosovës. Mbase ka shumë mbeturina të periudhës së Jugosllavisë aty. Ashtu siç ka edhe në gjyqësinë e Prokurorinë e Kosovës.
Deri tani kanë dhënë dorëheqjen një numër i madh avokatësh shqiptarë, të cilët janë caktuar kryesisht nga gjykata, ndërkohë që kryesuesi i panelit ka kërcënuar me masa represive. Si e konsideroni ju performancën e qeverisë së Kosovës me këtë rast, gjegjësisht të Ministrisë së Drejtësisë, pasi bëhet fjalë për një qytetar të njohur të Republikës, që është vënë në shënjestrën e zyrtarëve të EULEX-it?
EULEX-i po e përdor rastin kundër meje që t’i disiplinojë prokurorët e gjykatësit e Kosovës, e madje po përpiqet që këtë ta bëjë edhe me avokatët e Kosovës. Heshtja e qeverisë së Kosovës dhe e Ministrisë së Drejtësisë është kontribut në orvatjen e EULEX-it që ta heshtë lëvizjen “Vetëvendosje!” dhe mua. Atyre po iu konvenon ky persekutim që po na e bëjnë. Sepse ata nuk duan t’ia dinë se si lëvizja jonë po i ndihmon shtetit të Kosovës, por vetëm sesi ajo mund t’ua rrezikojë pushtetin atyre.
Si e konsideroni ju determinimin e misionit të BE-së për t’ju dënuar me çdo kusht. Bëhet për të mos krijuar precedent, apo për të treguar që pavarësia nuk është e plotë, ndaj dhe hapësirat demokratike nuk janë të tilla...
EULEX-i është ajo që dikur quhej Shtylla e Parë e UNMIK-ut: Departamenti i Drejtësisë dhe Policia (në të njëjtin vend). EULEX-i është mision jodemokratik dhe neokolonialist. Ne kemi nevojë për një BE, e cila na këshillon e ndihmon për demokratizim e për zhvillim ekonomik, që sjell mirëqenie për qytetarët, e jo për misione policore të BE-së. Prania e BE-së në Kosovë duhet të ridefinohet. është e papranueshme që EULEX-i të mos na e pranojë pavarësinë. Dhe, për më keq, të bazohet në Rezolutën 1244 e në 6 Pikëshin famëkeq të Ban Ki-Moonit, të mos ketë afat të qëndrimit të Kosovë, të kenë imunitet nga ligji në Kosovë i gjithë personeli i EULEX-it me familjet e tyre, të kenë fuqi ekzekutive mbi institucionet e Kosovës dhe të nënshkruajnë protokolle për bashkëpunim policor me Serbinë. Këto të vërteta i themi vetëm ne të “Vetëvendosjes!”. Dhe, vetëm ne veprojmë ashtu siç themi. Andaj iu pengojmë kaq shumë.
Zoti Kurti, a keni apeluar në institucionet ndërkombëtare apo në organizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për rastin tuaj?
Lëvizja “Vetëvendosje!” ua ka dërguar një memorandum organizatave e institucioneve të ndryshme anekënd botës. Po ashtu edhe peticioni me 175.000 nënshkrime po dërgohet. “Amnesty International” e pat quajtur këtë proces kundër meje të motivuar politikisht qysh në kohën e UNMIK-ut. Patën reaguar edhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare si “Human Rights Watch”, “War Resisters International” etj., si dhe organizata vendore si Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Ombudspersoni etj.
Mbështetës tuaj goditën dy ditë më parë njërin prej avokatëve me vezë. Si e çmoni këtë gjest dhe a përbën ai një akt të dhunës etike në sjelljen e mbështetësve tuaj?
Asnjë avokat nga 527 sosh sa janë në Kosovë deri më tani nuk ka pranuar të më mbrojë. Unë u falënderohem për këtë. Unë s’kam nevojë të më mbrojë kush në një gjykatë që nuk e njoh, por kam nevojë të më bashkohen njerëzit në sulmimin e kësaj gjykate të padrejtë. Avokati Avni Gjakova e braktisi rrugën e të gjithë avokatëve të tjerë, që u solidarizuan me mua. Aksioni ynë kundër tij ishte simbolik. Po të ishim të interesuar për dhunë dhe për lëndimin e avokatit nuk do ta gjuanim me vezë.
A mendoni se në këtë rast ka gisht tjetërkush, veç faktorit ndërkombëtar?
Besoj që heshtja e qeverisë së Kosovës është heshtje që flet dhe heshtje aktive. EULEX-i zakonisht e njofton paraprakisht qeverinë e Kosovës për hapat që ndërmerr për ta pasur edhe aprovimin e tyre. Nuk besoj të ketë qenë ndryshe as kësaj radhe me rastin e persekutimit tim në bazë të aktakuzës së UNMIK-ut për demonstratën e 10 shkurtit. Të dyja palët janë të interesuara për kriminalizimin e protestave dhe demonstratave, si mënyra të veprimit politik demokratik.
Mediat e Kosovës nuk e kanë mbuluar shumë rastin tuaj. Pse ndodh kjo sipas jush?
Televizioni publik, RTK-ja, është plotësisht nën kontrollin e qeverisë dhe të ndërkombëtarëve. Krerët politikë e institucionalë i kanë gazetarët e redaktorët e tyre pothuajse në secilin medium.
Cili është drejtimi që ka marrë Kosova sipas jush dhe a do t’i futeni politikës. Nëse po, me çfarë forme?
Meqë pavarësisë formale të shpallur nuk po i shtohet sovraniteti dhe integriteti territorial, asaj po i rrjedh edhe formaliteti. Pas 6 Pikëshit të Ban Ki-Moonit që na i trash dhe shton lidhjet me Serbinë, erdhi protokolli për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë. Në këtë vit parashihen edhe dy protokolle të ngjashme – njëri për gjyqësi e tjetri për dogana. Po ashtu, e kanë ndërmend që t’i shesin shpejt e shpejt dhe shumë lirë gjigantët ekonomikë të Kosovës, PTK-në, KEK-un, Aeroportin e Prishtinës dhe Trepçën, duke e zbrazur komplet Kosovën nga pasuria shoqërore e publike. Lëvizja jonë po ristrukturohet. Në njërën anë i kemi komitetet e lëvizjes që e mishërojnë atë si politika të lëvizjes, ndërsa në anën tjetër i kemi sekretariatet e lëvizjes që e konstituojnë atë si organizatë. Lëvizja jonë nuk do ta ndryshojë qëllimin e as konceptin. Përveç diskutimeve ideore e politike jemi duke diskutuar edhe për mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje në të ardhmen. Ky është një debat i gjerë dhe i gjatë. Po ashtu, nuk duam të ngutemi: po i debatojmë hollësisht dobitë dhe dëmet, përparësitë dhe mangësitë, në raport me realizimin e qëllimit tonë. Pra, po diskutojmë për mundësitë e ndryshimit të strategjisë sonë, por jo në kuptimin e zëvendësimit të metodave por të pasurimit të tyre. Nuk duam që aksionet protestuese dhe demonstratat t’i zëvendësojmë me pjesëmarrje në zgjedhje, por eventualisht t’i kombinojmë.
Intervistoi: Ylli Pata
#