E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i konfeksioneve në prag falimentimi, rrezikohen 65 mijë vende pune

Nga Fitim Zekthi

Bizneset që punojnë me mall të porositur kanë thënë dje se ato rrezikojnë të falimentojnë plotësisht për shkak të krizës ekonomike, e cila në këtë sektor, sipas tyre, është shumë e rëndë. Përfaqësues të këtyre bizneseve thanë dje se qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë shumë shpejt, në mënyrë që këto biznese shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare të mbijetojnë. Ata kërkuan lehtësimin e barrës fiskale duke i çliruar ata nga pagat referencë që përdor qeveria për të mbledhur tatimi-fitimin dhe kontributin e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, ata kërkuan që qeveria të shtyjë për një afat deri në gjashtë muaj pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore për punonjësit e rinj, si edhe të ndihmojë në masa të tjera, të cilat do të mund të ulin kostot. Prania e krizës është aq e dukshme, thanë ata, sa shitjet kanë rënë ashpërsisht me rreth 50% dhe kontratat e reja të nënshkruara për këtë vit me blerësit në tregun e huaj janë dukshëm më të ulëta sesa vjet. Konkurrenca në këtë treg është e madhe, ndërkohë që biznesi shqiptar është duke patur probleme shumë më të mëdha pas futjes së pagave referencë. Kjo ka bërë që në vende të ndryshme të rajonit të zhvillohen biznese të tilla, të cilat fitojnë gjithnjë e më shumë treg. Prodhimet kineze gjithashtu janë një tjetër konkurrencë e ashpër. Prodhuesit me fason, siç quhen bizneset që punojnë me mall të porositur (kryesisht në fushën e konfeksioneve), janë ndër zërat më të rëndësishëm të ekonomisë, pasi ata zënë rreth 56% të totalit të eksporteve të vendit dhe kanë të punësuar më shumë se 65 mijë punonjës. Këto janë të përqendruara kryesisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër etj. Qeveria shqiptare, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, i ka marrë pjesërisht në konsideratë kërkesat e këtyre bizneseve, megjithatë ajo nuk do të lëkundet nga niveli i tashëm i pagave referencë dhe do të mjaftohet vetëm me shtytjen e afatit të pagimit të kontributeve shoqërore në tre muaj nga një që është. Gjithashtu, specialistë të Ministrisë së Financave thanë se amortizimi i mjeteve do të llogaritet jo më 15%, por po shihet mundësia që ai të shkojë në 30%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›