E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi ka divorc Benitez-Morati

Ultimatumi i trajnerit spanjoll për Moratin ngjan me një autoshkarkim të tij

Po tani çfarë do të ndodhë tek Interi? Është kjo pyetja, që tifozët zikaltër dhe në përgjithësi bota e futbollit bëjnë, të nesërmen e triumfit në Botërorin e klubeve dhe të shfryrjes befasuese të trajnerit Benitez në dhomat e zhveshjes.

Ovacione për Rafan — qindra tifozë kanë sfiduar të ftohtin e mëngjesit të djeshëm, shumë gradë nën zero, në aeroportin e Malpensas, për të pritur Interin Kampion të Botës të rikthehej nga Abu Dhabi. Avioni është ulur me një orë vonesë, në 06:30, dhe lojtarët janë shoqëruar për në autobus direkt nga pista e parkimit. Aty ishin grumbulluar tifozët për të festuar. Përqafime, kore dhe fishekzjarrë stadiumi, por mbi të gjitha për Rafa Benitezin, të cilin e ftojnë të mos heqë dorë. “Qëndro me ne Rafa Benitez, qëndro me ne”. Por megjithatë duket si një dashuri në kohë të vonuar. Pas festës (asaj për Botërorin e fituar) dhe festave, që nënkupton Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, Interi me shumë mundësi do të ndryshojë drejtimin teknik. Shfryrja e ashpër e Benitezit pas fitores së Abu Dhabit ka lënë shenjë, akuzat kundër politikës së klubit nuk mund të injorohen nga Morati. Mes të tjerave, klubi nuk duket dhe aq i gatshëm për të përmbushur ultimatumin e trajnerit për të ndërhyrë në merkato. Presidenti Masimo Morati i është përgjigjur kështu pyetjes, nëse deklaratat e Benitezit kanë prishur festën e Interit: “Jo, për momentin jo: ishin disi të papërshtatshme me situatën, por në këto momente interistët janë të lumtur”. “Për momentin nuk flas për Benitezin”, shtoi Morati në lidhje me të ardhmen e trajnerit spanjoll. Megjithatë, me fjalët e thëna nga vetë tekniku, duket se ai ka bërë njëfarë autoshkarkimi. Pista më e mundshme mund të jetë trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, i cili mund të lirohet nga impenjimi me Federatën Angleze (që skadon në 2012-n) për një shifër te rreth 6 milionë euro: një “grusht” i shmangshëm, ose i reduktueshëm me një “marrëveshje xhentëlmenësh”, e bërë e praktikueshme për shkak të raporteve jo të mira mes Kapelos dhe ambientit anglez (mbi të gjitha shtypi, që pas humbjes në Ueblli me Francën shkoi deri tek ofendimet). Kapelo është parë nga Morati si një njeri që, sa për fillim, risjell rregull dhe disiplinë, por e kaluara e tij si armik i madh i interistëve dhe filozofia e tij e futbollit nuk janë shumë të dashura nga padroni zikaltër. Në këtë sens, shumë më i pëlqyer është Luçiano Spaleti, i cili vjen nga një sezon triumfal me Zenitin. Fitoi në kampionat, por ecën mirë në Europa League, rrogë prej 4,5 milionë eurosh në vit) dhe me fuqi të plota në merkato: ta heqësh atë nga Rusia duket më se e komplikuar, por Spaleti i dashuron sfidat dhe nuk do të nguronte të merrte në dorë dhe ta ngrinte në nivelet e larta të kampionatit pikërisht skuadrën, që në 2008-n titullin ia hoqi nga duart. Zgjidhja e kontratës me Zenitin paraqet të njëjtat probleme si ajo e Kapelos: pra, nuk do të ishte gratis. Spaleti dhe Kapelo janë dy emrat e mëdhenj për një zgjidhje përfundimtare të krizës teknike interiste. Në konsideratë mund të merret dhe Valter Zenga, por edhe ish-trajneri i Milanit, Leonardo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›