E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkruajmë shumë, por mësojmë pak...

“Kemi mësuar të ngutemi, por jo të presim. Kjo është koha e ushqimeve të shpejta, por e tretjeve të ngadalshme; e burrave të mëdhenj dhe e karaktereve të vogla, e përfitimeve të mëdha dhe e marrëdhënieve të cekëta. Jeta nuk matet me sasinë e frymës

Kolec TRABOINI

Mungesa e modestisë së autorëve është një çështje jashtëletrare dhe nuk meriton të merret në konsideratë në analiza profesionale, mirëpo në qytetin metropol të Nju Jorkut shqiptaro-amerikanet, të cilat pretendojnë të quhen intelektuale (ashtu qofshin), u ndodhën përpara një rasti letrar unikal. Autorja, për librin e saj të parë, organizoi dy promovime (siç u quajtën në shtyp), një në Tiranë dhe tjetrin në Nju Jork, gjë kjo fort e rrallë, jo vetëm në letërsinë shqiptare, por edhe në atë botërore. Edhe autorët e mëdhenj e të përbotshëm, nuk besoj të bëjnë dy promovime të të njëjtit libër, e jo më në dy kontinente.
Me sa duket, i mikluar nga ky rast, një tjetër autor, por në prozën e shkurtër, pasi kishte bëri promovimin e librit të vet në sallën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë, çka e shiti si veprimtari të Lidhjes, por në të vërtetë ai pagoi paratë e sallës, më pas, sapo kaloi Atlantikun, bëri promovimin e dytë të librit të tij të parë në Nju Jork.
Kështu, dy rishtarë në letërsi, me këtë rast u gjendën edhe në qendër të mediave, me fotografi e shkrime në faqet e gazetave (16 fotografi vetëm në një faqe gazete), sikur Shqipërisë t’i kishin lindur dy gjeni në një ditë të bukur njujorkeze.

* * *
Kaq e trishtueshme është kjo lloj fyerje e fillestarëve, sa shkrimtarët e vërtetë, ata që janë të përgjegjshëm për misionin në letërsi e që djersijnë natë e ditë mbi dorëshkrime, e kanë prej natyre fort ndroje të paraqiten para lexuesve, por ama, kur shohin bujën që bëjnë fillestarët me kësisoj promovimesh, atyre iu veleritet dalja publike. Kësi manifestimesh me ngarkesë llaku kozmetik dhe ondulacione flokësh të fryra, atyre u shfaqen si dita e balonave tabake e tauke që, dikur, organizonte piktori Zamir Mati në fushën e aviacionit, diku pranë Zogut të Zi në Tiranë, ku gjithsecili kishte veç merakun e ngjyrave dhe kush e kush ta fluturonte balonën më lart. Është e natyrshme që rishtarët, të cilët ende nuk kanë mësuar se sa serioze është letërsia, e kanë privilegj, t’i çojnë balonat lart e më lart.
Por e keqja më e madhe nuk janë rishtarët me ambicien e tyre të pafre, zezona më kërcënuese sot ështe fakti se vlerat e dyshimta shpesh po propagandohenn si vlera të mirëfillta, e kjo mënyrë është një sfidë vrastare për poezinë në veçanti, por edhe për letërsinë në përgjithësi. Dëmi që i sjellin kësisoj autorësh, dhe euforia që i shoqëron mediokritetet, jo vetëm që plogështon krijuesit e vërtetë, por në të njëjtën kohë përpunon te publiku shijen vulgare. Një blerës, që është mësuar t’ia shesin verën të përzier me ujë, nuk është çudi që, kur të bjerë në verë të vërtetë të patrazuar, të protestojë me të madhe, se kjo nuk është vera e shijes së tij dhe se e kanë mashtruar.
Shkuar pas kësaj shëmbëllese, le të sjellim vargje nga një autore që, siç thamë, i ka bërë dy promovime të të njëjtit libër dhe është mikluar nga njerëz të caktuar, si një talent i vërtetë:

Shkronjat e shqipes aty i gjej,
Në ftesë studiosh, a pallate ëndrrash,
Luftuan pashallarë të të gllabëronin,
Po kuja e Nicës i shqyente denglash.

Me të drejtë, Zef Luca nga Kanadaja i bëri vërejtje autores se jo çdo vargëzim fjalësh mund të krijojë poezi. Por zullumi është se ky lloj vargëzimi, që shitet për poezi, nuk ka as logjikën e një proze të thjeshtë. Shpesh fjalët përdoren përdhunshëm. Çfarë logjike ka në fjalët “Eleganca e vargut ngjall të vdekurit...”?! Të thuash se shkohet sipas motivit popullor: “Hanko, mos kalo nga varret,/ se të vdekurit i ngjalle,/ e të gjallët në varr i kalle”, kurrsesi. Sepse në rastin e motivit popullor kemi një pasthirrmë emocionale të një dashnori të zjarrtë, që jepet pas bukurisë së Hankos së Tepelenës, e njohur për hiret e saj. Ndërsa në rastin e vargjeve të kultivuara që cituam më sipër, ngjallja e të vdekurve i blatohet elegancës së vargjeve të një shkrimtari. Apo më tej: “E gdhende eposin me romane kështjellash...”. Si u gdhendka eposi me romane kështjellash?! Eposin e kanë gdhendur shekujt, mijëra e mijëra shpirtra artistësh popullorë, të cilët kanë lënë tek ai kush një varg e kush një fjalë, duke e çuar deri në përsosje. Eposin nuk mund ta gdhendë një shkrimtar i sotëm, sepse historia nuk mund të kthehet pas, dhe një shkrimtare nuk mund të bëhet një rapsode. Tek e shumta, eposi mund të shfrytëzohet prej shkrimtarëve për të krijuar vepra në frymën e tij, sepse eposi është një korpus historikisht i përfunduar. Ashtu siç janë mbyllur e përfunduar epokat historike.
Kurse më tej thuhet: “Lahutë zjarresh,/ luftuan pashallarët të të gllabëronin,/ po kuja e Nicës i shqyente denglash...”. Se si mund t’i shqyente plaka Nicë denglash pashallarët, vetëm autorja e këtyre vargjeve e di. Në vazhdim: “Çmimi Nobel endet si Laokonti,/ e vërteta e madhe me metastaza prekur...”, janë shprehje jo vetëm apoetike, por edhe me mungesë logjike. Për të përfunduar deri në absurdin: “Lirinë hyjnore në Bibël shkruar/ me gjeneralin e ushtrisë së vdekur.”
Nuk besoj se ky vargëzim bajat ka nevojë për koment.

* * *
Diku më tej, në interenet, lexojmë një çudi tjetër që fantaks çdo lexues. Një autore enigmatike nga Italia, që ka botuar disa vëllime, por që gjithnjë ngutet, pa u ulur për të redaktuar sado pak krijimet e veta, dërgon një vjershë të gjatë që nuk është gjë tjetër, veçse përkthimi i keq i një origjinali që gjendet në internet. Me sa duket, disa fillestarëve apo atyre që e marrin poezinë si diçka të lehtë, u mjafton një hyrje e kërkim në Google, ku mund të marrin çfarë të duan e pasi t’i sheqerosin, t’i botojnë edhe në libra. E thënë ndryshe, interneti është bërë një lumë i turbullt, ku mund të peshkojë gjithkush. Ka që nuk duan t’ia dinë për të drejtë autori. Ka që ta marrin poezinë tënde dhe, pasi i kanë bërë një shartesë fort të keqe, i gjejnë vend në librin e vet.
Plagjiatura, për të cilën flasim, është një ese e Dr. Bob Moorehead, ish-pastor i kishës së krishterë në Overlake Seattle, i cili ka dalë në pension në vitin 1998, pas 29 vitesh në shërbimin kishtar. Eseja e tij “The Paradox of Your Age” është nxjerrë nga koleksioni i vitit 1995 të Dr. Moorehead, ku përfshihen lutje, biseda e monologje të përdorura gjatë shërbesave fetare në radio. Dikush që ka qenë dëshmitar i masakrës në shkollën Columbine High School, në Kolorado të Amerikës, më 20 prill 1999, ku u vranë 12 nxënës me mësuesin e tyre, e rimori dhe e përcolli në internet, me sa duket, si aktualizim i ngjarjes tragjike. Titulli “The Paradox of Your Age”, në internet është përcjellë me një ndryshim fare të vogël: nga “Age” në “Time”. Pra, nga “Paradokset e shekullit tonë”, në “Paradokset e kohës sonë”. Kjo ese është mjaft e popullarizuar, megjithëse një autor ekcentrik, si Xhorxh Karlin, thotë se nuk është kurrsesi poezi, por një jashtëqitje. Po e sjellim të shqipëruar këtë ese:

“Paradoksi i kohës sonë në histori është se kemi ndërtesa të larta, por kemi edhe ndjesinë e shtypjes po aq; me rrugë krejtësisht të lira, por me pikëvështrime të ngushta; harxhojmë pa hesap, por kemi shumë humbje; blejmë më tepër, por shijojmë së paku; kemi shtëpi të mëdha dhe familje të vogla; më shumë komoditet, por kohë s’kemi fare; kemi më shumë tituj, por më pak sens; më shumë dije, por më pak gjykim; shumë specialistë, por më shumë probleme; më shumë ilaçe, por më pak shëndet... Tymosim shumë, pimë shumë, shpenzojmë të shkujdesur, gazmojmë më pak, udhëtojmë më shpejt, zemërohemi menjëherë, qëndrojmë deri vonë, zgjohemi më të lodhur, lexojmë më pak, shohim TV më shumë, e lutemi gjithnjë pak e më pak. I kemi shumëfishuar pasuritë, por pakësuar vlerat e shpirtit; flasim tepër, duam rrallë dhe urrejmë shumë shpesh. Ne kemi mësuar të krijojmë mjedisin, por jo jetën. Ne ia shtuam vitet jetës, por jo jetën viteve. Ne udhëtuam në hënë dhe u kthyem, por kemi droje të kalojmë rrugën për të takuar fqinjin e ri. Jemi pushtues të hapësirave të jashtme, por jo të hapësirave të brendshme. Ne kemi bërë gjëra të mëdha, por jo gjërat më të mira. Ne e pastrojmë ajrin, por fëlliqim shpirtin; ne e zotërojmë atomin, por jo paragjykimin. Ne shkruajmë shumë, por mësojmë pak. Ne thurim shumë plane, por realizojmë pak. Ne kemi mësuar të ngutemi, por jo të presim. Ne krijojmë shumë kompjuter, i mbushim plot informacione, prodhojmë më shumë kopje se kurrë, por veç komunikojmë pak... Kjo është koha e ushqimeve të shpejta, por e tretjeve të ngadalshme; e burrave të mëdhenj dhe e karaktereve të vogla, e përfitimeve të mëdha dhe e marrëdhënieve të cekta. Këto janë ditë të dy rrogave në familje, por e më shumë divorceve; e godinave të hijshme, por e familjeve të prishura. Këto janë ditët e udhëtimeve të shpejta, e hedhjes së pelenave, e braktisjes së moralit, e një nate qejfi dhe aq; e mbipeshës së trupit, e tabletave që mund të bëjnë gjithçka nga harendjellja, të heshtin, të vrasin. Është koha kur ka aq shumë në vitrinën e mallrave e gjë prej gjëje në magazinë nuk ka. Mos harroni, kaloni ca kohë me të dashurit tuaj, sepse ata nuk do të jenë përreth përgjithmonë. Jeta nuk matet me sasinë e frymës që marrim, por me çastet kur fryma iken prej nesh.”

* * *
Dhe, ja, poezia që përcillet gjoja si origjinale, nga e cila po citojmë vetëm hyrjen:

Sot kemi rrugëkalime të gjera, por pikëpamje të ngushta!
Shpenzojmë shumë, por kemi pak!
Blejmë shumë, por pak kënaqemi!
Kemi shtëpi të mëdha, por familje të vogla!
Kemi shumë lehtësira, por përherë e më pak kohë!
Diploma e grada të shumta kemi, por hiç
...pak ndjenja!
Kemi më shumë njohuri, por më pak gjykim!
Më shumë eksperiencë, por më shumë probleme!
Më shumë mjeksi, por më pak shëndet!

Natyrisht, të dy variantet janë më të gjata, ato vazhdojnë kontekstualisht. E vetmja gjë e krijuar nga autorja janë ca vargje të fryra e pa lidhje, alogjizma, që i shtohen poezisë origjinale në mënyrë përçudnuese: “Sot derdhemi si spermë kozmike/ në qendër të tokës për të krijuar akoma lindje djajsh/ Pa prekur shirat universal/ Çfarë udhëtimi!!!/ me të njëjtin stacion FINAL!”
Pra, me shkak të këtyre katër vargjeve në tym, eseja e pastorit Dr. Moorehead vendoset në krijimtarinë e kësaj autoreje, sikur të ishte një vepër origjinale, e pa dhënë kurrfarë shpjegimi.
Por, për të shkuar më tej në këtë vështrim, një e përditëshme e boton (30 prill 2006) këtë ese pa autor. Mund të shihet në faqen e saj në internet, pa kurrfarë reference e kurrfarë autori. Kështu edhe gazeta hyn në vallen e skandaleve letrare krejt pa logjikë e nevojë. Ajo çfarë shfaqet si fenomen i kësaj kohe (The Paradox of Your Age), për ne shqiptarët e kam fjalën, sa i përket të drejtave të autorit, është se përvetësimi i hapur e pa kurrfarë droje, madje edhe duke bërë karshillëk, bëhet jo vetëm nga autorë të veçantë për një poezi a kapitull të veçantë, por shkon deri dhe te librat. Kujtoj këtu hajninë që iu bë përkthyesit Blendi Kraja, fakt që e denoncoi hapur në shtypin shqiptar. Ana më groteske është se përkthejnë paradokse për t’u bërë moral qytetarëve, ndërsa shfaqen vetë si paradoks i gjallë, sepse vjedhja institucionalizohet, jo vetëm ndër individë të papërgjegjshëm, por sidomos kur ndihmon media. Ndërkohë që në Kuvendin e Shqipërisë janë miratuar të drejtat e autorit, mbrojtja e tyre ligjore, me sa duket, ka të bëjë veç me autorët që jetojnë brenda vendit, jo me autorët e huaj, se me këta mund t’u veproka edhe kaçakshe.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›