Zjarri rrezikon disa banesa, djeg 10 hektarë me pemë
Një zjarr i rënë dje pasdite në Fier rrezikon të djegë disa banesa që ndodhen pranë vatrës së zjarrit. Flakët e zjarrit kanë përfshirë kodrat e Levanit në qytetin e Fierit duke djegur rreth 10 hektarë pemë dhe vënë në rrezik dy banesa që ndodhen pranë vendit ku ka rënë dhe zjarri. Sipas autoriteteve lokale të këtij rrethi bëhet e ditur se situata është e vështirë pasi dhe zjarrfikëset e mbërritura në vendngjarje për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit kanë hasur në vështirësi për shkak të terrenit të thyer malor. Gjithashtu bëhet e ditur se po kryhen hetimet e para për të gjetur shkakun e rënies së zjarrit.
Pukë
Pranga 62-vjeçarit, kanosi bashkëfshatarin
Forcat e policisë kanë kryer arrestimin në flagrancë të 62-vjeçarit Tom Ndoi, lindur dhe banues në fshatin Bugjon të Pukës. Sipas të dhënave policore ndaj tij kishte mbërritur një kallëzim penal prej bashkëfshatarit Ndue P., 48 vjeç, për kanosje me armë zjarri për motive të dobëta. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Tom Ndoit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri model 56, si dhe 124 fishekë, të cilat i lartpërmenduri i mbante pa leje. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Pukës për veprat penale të “kanosjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Durrës
Hetim të dyshuarit për vjedhjen e Shtëpisë së Fëmijës
Ekspertët kanë filluar procedimin penal për 18-vjeçarin Xhildo Kolaj, lindur dhe banues në Shkozet, pasi ai është autori i dyshuar për vjedhjen e Shtëpisë së Fëmijës në Shkozet të Durrësit, ngjarje kjo ndodhur më 20 qershor të këtij viti. Sipas të dhënave policore, Kolaj ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi është në hetim lidhur me ngjarjen e datës 10.07.2009 në Shkozet për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “prishjes së qetësisë publike” të parashikuar nga Neni 278/2 dhe 274 të Kodit Penal. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”.
13 Shtator 2009