Gripi i zakonshëm, mbërrin në farmaci vaksina për fazën e parë
Jonida Tashi
Mbërrin në farmaci doza e parë e vaksinimit nga gripi i zakonshëm. Tashmë, secili prej personave të interesuar për të bërë këtë vaksinë duhet t’i drejtohet farmacive, pjesa më e madhe e të cilave në kryeqytet janë pajisur me sasinë e nevojshme të vaksinave. Sipas mjekëve, kalendari i vaksinimit ndaj gripit të zakonshëm, ndalet në katër muaj brenda një viti, të cilët dy i përkasin stinës së vjeshtës, ndërsa dy të tjerë asaj të pranverës. Konkretisht periudha më e përshtatshme për t’u vaksinuar ndaj gripit të zakonshëm është shtator-tetor dhe mars-prill. Aktualisht, farmacitë janë furnizuar me dozën e parë të vaksinimit, që do të përdoret për periudhën e vjeshtës. Më vonë, para ardhjes së sezonit të dytë të vaksinimit ndaj gripit stinor, që përkon me muajt mars-prill, farmacitë do të marrin dozën e dytë të vaksinave.
Vaksinimi
Rreth 100 mijë shqiptarë parashikohet të vaksinohen këtë vit nga gripi i zakonshëm. Duke qenë se kemi ende nëpër “këmbë” virusin H1N1, ndryshe nga vitet e tjera vaksina e gripit është hedhur në treg më herët se vitet e kaluara, dhe një nga arsyet është kombinimi i virusit A/H1N1, me gripin e zakonshëm, i cili mund të jetë fatal për jetën e qytetarëve. Viti 2007 ka qenë një vit i vështirë për vendin tonë për të siguruar vaksinën e gripit, pasi ajo ka ardhur me vonesë. Në vitin e kaluar kjo vaksinë ka ardhur pothuajse në kohën e duhur, dhe sipas bluzave të bardha, viti 2008 ka qenë një vit i suksesshëm për vaksinimin e popullatës, pasi u vaksinuan 70 mijë shqiptarë. Të ndërgjegjshëm se kurba e rritjes së vaksinimit të popullatës në vend për gripin ka qenë pak e ngadalshme, ndoshta sivjet për arsye dhe të gripit pandemik, drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), besojnë se do të ketë të paktën 100 mijë shqiptarë të vaksinuar ndaj gripit të zakonshëm.
Blerja
Vaksina e gripit sezonal nuk është e përfshirë në programin e vaksinimit, çka do të thotë se qytetarët do ta blejnë vetë atë në farmaci. Me përjashtim të një kontingjenti të caktuar njerëzish, ku përfshihen ata që punojnë në strukturat e shëndetësisë. “Duhet të përdoret masivisht në popullatë vaksina kundër gripit sezonal, Shqipëria nuk e ka përfshirë vaksinimin e gripit sezonal në programet e veta të vaksinimit. Aktualisht ne kemi një fond për të blerë vaksinë, ashtu si çdo vit, vetëm për disa grupe me risk të lartë, kryesisht punonjës të shëndetësisë dhe disa grupe të tjera”,- ka deklaruar para pak ditësh drejtori i ISHP-së, Dritan Ylli. Nëse vaksina e gripit pandemik do të mbulohet nga shpenzimet e shtetit, të paktën për kontingjentin e parë, ashtu siç kanë deklaruar autoritetet e shëndetësisë, qytetarët ndryshe nga vaksina e gripit të zakonshëm, nuk do ta blejnë vetë në farmaci edhe vaksinën ndaj H1N1.
Efekti, vaksinimi ndaj gripit sezonal “mburojë” për atë të derrave
Vaksina ndaj gripit të zakonshëm mund të jetë një masë mbrojtëse për të mos u prekur nga gripi i derrave. Por edhe nëse ndodh që të prekeni, ai do të jetë i formës më të lehtë. Pikërisht për këtë arsye mjekët specialistë apelojnë popullatën që të vaksinohen ndaj gripit sezonal. “Vaksina e gripit të zakonshëm mund të jetë një masë mbrojtëse për të ulur numrin e të prekurve nga gripi i derrave, ose, në rastin më të keq, edhe nëse prekeni nga A/H1N1, ai nuk do të pësojë mutacione duke u bashkuar me virusin e zakonshëm dhe do të jetë kështu i një formë më të lehtë”,- shpjegojnë bluzat e bardha. Sipas tyre, mbërritja në farmaci e vaksinës së gripit të zakonshëm, i del përpara rrezikut të kombinimit të tij me virusin pandemik A/H1N1, i cili mund të jetë fatal për jetën e qytetarëve.
13 Shtator 2009