Stomatologët: Nevojitet hartimi i strategjive në fushën e higjienës orale
Shqiptarët nuk i kushtojnë aspak vëmendje shëndetit të gojës, pasi pjesa më e madhe e tyre paraqiten tek dentisti vetëm kur problemet kalojnë në fazën kritike. Ky konstatimi është bërë nga Shoqata Shqiptare e Stomatologjisë, sipas së cilës, hartimi i strategjive afatgjata dhe afatshkurtra është i domosdoshëm për të pasur një shëndet të mirë të gojës në popullatë. Dje, më 12 Shtator, që ishte dhe Dita Botërore e Shëndetit të Gojës, stomatologët shqiptarë apelojnë për rritjen e interesit për higjienën orale nga të gjithë qytetarët. Në një takim të organizuar dje me stomatolog nga i gjithë vendi, kryetarja e Shoqatës Shqiptare të Stomatologjisë, Rozarka Budina shpjegoi se “si pjesë e strategjisë së propozuar është hartimi i programeve për parandalimin e kariesit dentar tek fëmijët si dhe në popullata me riskun më të lartë për zhvillimin e tij”. Sipas saj, pjesë e strategjive duhet të jenë promocioni i shëndetit për gruan dhe fëmijët, përmirësimi i menaxhimit të shëndetit në të gjitha nivelet dhe shërbimit hospitalier. Promocioni i shëndetit të gojës përfshin shenjat karakteristike të personave dhe popullatës në risk, marrjen e masave të njëkohshme në disa drejtime, koordinimi mes programeve të disiplinave të ndryshme, etj. Një rol me rëndësi në këtë drejtim, sipas Budinës, luan dhe media me publikimin e detajeve të fushatave promocionale për shëndetin e gojës, etj. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pranuar veprimtaritë prioritare në promovimin e shëndetit të gojës për popullatën në përdorimin efektiv të fluorideve, dietat e shëndetshme, kontrolli i sëmundjeve të gojës që lidhen me konsumimin e duhani, promovimi në shkolla i shëndetit të gojës, përmirësimi i shërbimit dentar, kërkime shkencore në këtë fushë, etj. Shoqata Shqiptare e Stomatologjisë në bashkëpunim me strukturat shëndetësore në kanë ndërmarrë herë pas here fushata në shkolla për promovimin e higjienës orale.
Viti i ri shkollor, dhurata për 110 fëmijë jetimë
Rreth 110 fëmijë jetim në vend do ta nisin më mbarë se vitet e kaluara vitin e ri mësimorë. Instituti i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë si dhe Federata e Familjes për Paqe Botërore i kanë dhuruar këtyre fëmijëve të gjitha pajisjet e duhura për vitin e ri shkollor. Dhuratat i janë shpërndarë dje fëmijëve nga Instituti i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë si dhe Federata e Familjes për Paqe Botërore si një përpjekje për të sensibilizuar të gjithë qytetarët për mbështetjen që duhet të tregojnë ndaj fëmijëve jetimë. E pranishme në këtë aktivitet ka qenë edhe zonja e parë e vendit, Teuta Topi. Qytetarë shqiptarë dhe kosovarë kanë kontribuar me të ardhurat e tyre për përgatitjen e dhuratave që u shpërndanë dje gjatë një fushate të organizuar në të dy vendet nga të rinjtë e Federatës së Familjes. Fëmijët që kanë përfituar nga kjo fushatë fillojnë nga klasa e parë deri në shkollën e mesme.
13 Shtator 2009