E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë mbytet në det oficeri i ushtrisë

Një oficer i bazës ushtarake të Bunavisë është gjetur i mbytur paraditen e djeshme. Besnik Kadëna, 48-vjeç, i cili ishte transferuar në Vlorë përpara një muaji e gjysmë, është gjetur i vdekur në det, në vendin e quajtur Moli i Naftës. Trupi i pajetë është nxjerrë në breg në mëngjes herët nga një motoskaf i policisë kufitare. Nga ekspertiza mjeko-ligjore e kufomës së oficerit ka rezultuar se vdekja është shkaktuar si pasojë e mbytjes. Në trupin e tij nuk janë gjendur shenja dhune, çka ka çuar policinë në përfundimin se bëhet fjalë për një vetëvrasje. Mësohet se 48-vjeçari Kadëna kishte probleme ekonomike. Burime policore thanë se të hënën në mbrëmje Besnik Kadëna kishte telefonuar vëllain e tij në Tiranë dhe i kishte thënë: "Po e mbyll me kaq". Kjo fjali i ka alarmuar familjarët, të cilët kanë sinjalizuar policinë, por pa arritur të parandalojnë vetëvrasjen. Gruaja dhe dy djemtë e oficerit jetonin në Tiranë. Ai po përpiqej të shiste prej muajsh një apartamentet në kryeqytet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›