Shkrumbohen dy fëmijët, prindërit punonin natën për pastrimin e qytetit
VLORË – Sikur të mos mjaftonte tragjedia që ndodhi në familjen Xheka në Durrës, historia fatkeqe përsëritet me të njëjtën dhimbje edhe në Vlorë. Dy fëmijë të familjes Nelaj janë shkrumbuar në banesën e tyre për shkak të zjarrit të rënë nga një shkëndijë elektrike. Prindërit e të miturve që u gjetën të djegur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, të pajetë, kanë pohuar se i humbën fëmijët për shkak të varfërisë. Çifti Lelaj punon në Ndërmarrjen e Pastrimit të qytetit të Vlorës dhe gjatë mbrëmjes së dy ditëve më parë ata ndodheshin në punë kur ndodhi tragjedia. Policia ka sqaruar dje zyrtarisht shkaqet e rënies së flakëve. Kaloriferi i lënë në prizë gjatë gjithë natës ka shkaktuar flakët në rrjetin elektrik, të cilat kanë përfshirë brenda disa minutave edhe banesën. Sipas dëshmive të fqinjëve, trupat e pajetë të Prishilda dhe Kristaq Lelajt janë gjetur pranë njëri-tjetrit.
Ngjarja
Mbrëmjen e së hënës, duke nisur dita e djeshme, pas orës 11:00, çifti Lelaj ka lënë të vetëm në shtëpi dy fëmijët, përkatësisht të moshës 3 dhe 4 vjeç dhe është nisur në punë për të pastruar qytetin e Vlorës. Prishilda dhe Kristaqi kishin ftohtë dhe kanë mbajtur kaloriferin ndezur gjatë natës, në pritje të vëllait të madh, i cili pritej që të vinte në shtëpi. Por të miturit i ka zënë gjumi për të mos u zgjuar më. Zjarri përfshiu ndërtesën që ndodhet në lagjen “24 Maji” në Vlorë. Dy fëmijët janë përpjekur për të dalë nga shtëpia, por e kanë pasur të pamundur për shkak të flakëve dhe tymit asfiksues. Një fqinj ka hyrë në banesën e familjes Nelaj dhe tregon se ka gjetur trupat e pajetë të Prishildës dhe Kristaqit fare pranë derës, pa mundur që të dalin të gjallë. Ai ka pohuar se fillimisht është parë tymi që dilte nga dritaret e banesës së rrethuar me oborr dhe më pas është drejtuar me shpejtësi duke shqyer derën, por ishte e pamundur për të shpëtuar asnjërin prej të miturve.
Hetimi
Një kalorifer i lënë ndezur ka qenë shkaku i zjarrit në një banesë në lagjen “24 Maji” në Vlorë, zjarr që shkaktoi vdekjen e dy fëmijëve të mitur, në moshën 3 dhe 4-vjeçare. Sipas hetimeve të policisë, dy fëmijët ishin lënë vetëm në shtëpi nga prindërit e tyre që kishin dalë nga banesa. Aty ndodhej një kalorifer i lënë në prizë, kablloja i të cilit ka pësuar nxehtësi dhe më pas është djegur.
Flaka është transmetuar në orenditë e banesës, ndërsa fëmijët e kanë pasur të pamundur të shpëtojnë për shkak se dera ka qenë e mbyllur. Vëlla e motër kanë gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë nga tymi, ndërkohë që vajza kishte pësuar edhe djegie të gjymtyrëve.
Dëshmia
Çifti Nelaj është njoftuar për tragjedinë dhe menjëherë kanë lënë punën duke u kthyer në shtëpi. Babai i dy fëmijëve të asfiksuar në Vlorë, Lorenc Lelaj, pohoi për mediat se fëmijët e tij u vranë nga varfëria, pasi sipas tij, ata nuk kishin një strehë ku të jetonin normalisht. “Jetonim në një banesë me qira, në kushte të vështira. Para 3 muajsh kam filluar punë në një firmë pastrimi. Fëmijët e mi i vrau varfëria, kushtet e këqija ku jetonin”, - shprehet prindi fatkeq. Babai rrëfen se mbrëmjen kur fëmijët e tij u asfiksuan ndodhej në punë, ndërsa shton se “po atë natë djali kishte ftohtë, kërkonte të kishte pranë kaloriferin, prandaj fjetën në dhomën tonë të gjumit”. Kryefamiljari Lela ngre zërin dhe kërkon ndihmë nga shteti. “Shteti të na ndihmojë me një shtëpi”, - deklaron ai. Kryefamiljari sqaron më tej se lajmin e hidhur për humbjen e fëmijëve e ka marrë nga policia.
Box
Asfiksohen 4 fëmijët e lënë vetëm në Sukth
Robert Xheka, 13 vjeç, Vilson Xheka, 11 vjeç, Kasandra Xheka, 9 vjeçe dhe Nertila Xheka, 6 vjeçe, humbën jetën për shkak të asfiksisë së shkaktuar nga djegia e televizorit më 11 nëntor të vitit të kaluar. Të miturit jetonin me nënën e tyre, e cila punonte natën në klubet e Tiranës. Ajo ishte divorcuar nga bashkëshorti prej disa muajsh dhe i mbante fëmijët vetë. Kjo tragjedi riktheu në vëmendje detyrimet e shtetit ndaj familjeve në nevojë. Megjithëse kishte muaj që familja Xheka jetonte në Sukth, ku gruaja mbante e vetme katër fëmijë, asnjë prej drejtuesve vendorë nuk kishte ofruar ndihmë. Edhe ligji për trajtimin e të miturve nuk parashikon sanksione të rrepta ndaj prindërve që i lënë fëmijët nën 14 vjeç vetëm dhe dalin në punë.
Kontrollet në port, bllokohet kosovari dhe një shtetas i huaj
DURRËS – Hajriz Kryeziu dhe Enes Kiyak janë ndaluar nga autoritetet portuale në Durrës; njëri për posedim dokumentesh false dhe tjetri për qëndrim në Shqipëri përtej afateve të përcaktuara në lejen e qëndrimit. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bënë të ditur dje se ndaluan të hënën në mëngjes 39-vjeçarin kryeziu, banues në Kosovë, pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit ka paraqitur para punonjësve të Policisë Kufitare një pasaportë kosovare dhe një leje qëndrimi belge; dokumente këto në emër të tij, nga të cilat, leja e qëndrimit dyshohet të jetë e falsifikuar. Autoritetet kufitare kanë bërë sekuestrimin e dokumenteve të mësipërme dhe materialet i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Durrësit pasi shtetasi nga Kosova dyshohet se ka konsumuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Burimet policore raportuan se gjatë kontrolleve të ushtruara në Portin e Durrësit u konstatua i parregullt shtetasi i huaj Enes Kiyak, 24 vjeç. Sipas njoftimit zyrtar, ndaj Kiyakut, më datë 22.09.2010 ka dalë urdhër-largimi, pasi ka shkelur afatin e qëndrimit ne territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky shtetas nuk është larguar brenda afateve të parashikuara në këtë urdhër. Kiyak u dërgua në Qendrën e Mbyllur në Karreç dhe ndodhet në pritje të procedurave për riatdhesimin e tij. Që pas hyrjes në fuqi të regjimit të lëvizjes pa viza në zonën Shengen, janë shtuar kontrollet për shtetasit shqiptarë dhe të huaj që lëvizin në të gjitha pikat e kalimit kufitar në Shqipëri.
Mashtrimi 3500-eurosh për vizën “Shengen”, shpallet në kërkim 25-vjeçari
LIBRAZHD – Mashtrimi për të nxjerrë një vizë “Shengen” kundrejt 3500 eurove i ka sjellë telashe të mëdha Saimir Rirës, i cili që prej së hënës është shpallur në kërkim nga policia. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se 25-vjeçari nga fshati Rrajcë i Librazhdit është shpallur në kërkim policor pas denoncimit të bërë nga shtetasi M. T., 25 vjeç, banues në lagjen ”Kushtrimi” në Vlorë. Rira ka marrë pasaportën e M.T. bashkë me paratë dhe i ka vendosur një vizë “Shengen” të falsifikuar. Por, kur ka hasur në probleme, i dëmtuari ka bërë denoncimin në polici ndaj Rirës. Policia e qarkut të Elbasanit bëri të ditur dje se po punohet për kapjen e shtetasit Saimir Rira, pasi akuzohet për veprat penale të ”Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave, falsifikimi i vulave, stampave, ose formulave” dhe “mashtrim”.
Humb jetën ustai, ra me kokë nga kati i dytë i ndërtesës
ELBASAN – Një aksident në punë i mori jetën fatalisht një mjeshtri që po punonte për ndërtimin e një shtëpie. Policia e Elbasanit bëri të ditur se ngjarja ndodhi dje në Belsh dhe viktima është shtetasi Misir Abazi. Nga të dhënat paraprake thuhet se Abazi ka qenë duke punuar si usta për ndërtimin e një shtëpie 2-katëshe kur ka rënë nga kati i dytë dhe për pasojë gjeti vdekjen e menjëhershme. Ndonëse është dërguar me urgjencë drejt Spitalit rajonal të Elbasanit, ai nuk ka mundur të mbijetojë nga goditjet që ka marrë në kokë. Burimet policore bëjnë të ditur se po hetohet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit me pasojë vdekje.
Xhelozia për rumunen, shqiptari vret bashkëkombësin e tij
KASERTA - Një shqiptar i quajtur Flamur Rexhepi, i moshës 30-vjeçare, ka vrarë mbrëmjen e së hënës për shkaqe xhelozie bashkëkombësin e tij, Alket Salia, i moshës 27-vjeçare. Lajmi konfirmohet nga mediat italiane, të cilat shkruajnë se ngjarja ndodhi në një zonë periferike të Villa Literno. Gjatë përplasjes ka mbetur i plagosur edhe vetë autori i vrasjes, Rexhepi. Nga konstatimet e para të policisë gjithçka mësohet se ka ardhur pas një sherri mes dy personave për një femër rumune, edhe ajo emigrante në Itali. Pasi janë përleshur fizikisht mësohet se Saliu ka goditur me thikë Rexhepin dhe më pas ky ka goditur me pistoletë atë duke e lënë të vdekur. Arma rezulton të ishte vjedhur. Autoritetet policore italiane po merren me hetimin e plotë të ngjarjes.
Ndalohet 24-vjeçari, kërkohej për plagosje
KRUJË – Një 24-vjeçar, i kërkuar nga policia për plagosje në bashkëpunim, është ndaluar nga forcat e policisë. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se të hënën në mesditë ndaluan shtetasin Foster Brahilika, banues në rrethin e Krujës. Sipas tyre, ky shtetas, më datë 18 nëntor të vitit të kaluar është shpallur person në kërkim nga ana e Komisariatit të Policisë së Krujës, për veprat penale të kanosjes e plagosjes së lehtë te kryer në bashkëpunim. Pas komunikimit me prokurorin e çështjes, u konkludua ndjekja në gjendje të lirë e këtij shtetasi, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë, sipas të cilës, materialet iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.
5 Janar 2011