Shkumbini-Besa, gysmëfinalistet e Grupit 1

Albania-sport - Shkumbini është gysmëfinalistja e dytë e Grupit 1, pas Besës, e cila eliminoi Dinamon, më 28 shkurt 2007. Peqinasit e Faruk Sejdinit arritën një tjetër fitore (1-2) me Turbinën e Cërrikut, ekipin e vetëm nga 8 cerekfinalistet që vinte nga Kategoria e Parë. Shkumbini ishte thuajse i kualifikuar pas rezultatit të thellë (4-0) të arritur në takimin e parë.
Takimi filloi me shtatë minuta vonesë për shkak të pranisë në fushën "Nexhip Trungu" të individëve të paautorizuar. Pjesa e parë ishte e qetë dhe pa nerv. Në fraksionin e dytë të lojës erdhën dhe tri golat e këtij takimi: Erjon Rizvanolli shënoi në minutën e 72 për Shkumbinin, barazoi Shtrepi për Turbinën në të 82' dhe Nexha në të 84'
Në takimin e parë ishte Albano Byzhyti ai që kaloi Shkumbinin në epërsi me golin e tij të parë të kësaj ndeshjeje, më pas te goli ishte Arsen Beqiri për t'ia lënë radhën Erjon Rizvanollit. Albano Byzhyti shënoi golin e katërt.
Gjithsesi Turbina u largua mëse e kënaqur nga Kupa pasi eliminoi kampionin e Shqipërisë, Elbasanin (2-0, 0-0). Shkumbini, nga ana e tij, përtej gjendjes alarmante në kampionatin e Kategorisë Superiore (i parafundit) u kualifikua për herë të dytë në gjysmëfinale në 18 edicionet e Kupës së Shqipërisë që ka marrë pjesë.
Shkumbini për të arritur në gjysmëfinale eliminoi Sopotin e Librazhdit (7-0, 2-2), Flamurtarin (4-1, 1-0) dhe së fundi Turbinën (4-0, 2-1).
Në gjysmëfinale do të përballet me Besën. Takimet do të luhen më 11 dhe 25 prill 2007.