E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllanaj: Po ndërtojmë një skuadër rivalizuese



Te Bylisi ka optimizëm në prag të nisjes së sezonit. Duke parë dhe punën e bërë nga ekipi gjatë qëndrimit tre javor në Ohër të Maqedonisë, presidenti Besnik Kapllanaj, në një bisedë për “Panorama sport”, është shprehur ndër të tjera se ka shumë besim te grupi aktual. “Megjithëse u ruajt kontingjenti i lojtarëve që përfunduan kampionatin e kaluar, ndërhyrjet e bëra në merkaton e kësaj periudhe kanë qenë të domosdoshme për ekipin, në mënyrë që ai të përfaqësohet jo vetëm denjësisht, por edhe të luftojë për të arritur objektivat ambicioze që ka. Duke ruajtur grupin e lojtarëve që mbyllën sezonin e kaluar, ku u paraqitën suksesshëm, megjithëse në Kategorinë e Parë, u munduam së bashku me trajnerin Spahiu që të bënim një merkato. Nuk u nxituam për të afruar në ekip futbollistë me emër, por ata që janë cilësorë. Mendoj se lojtarët e afruar plotësojnë të gjitha parametrat që ne kërkonim në çdo aspekt, si në sjellje, ashtu dhe në profesionalizmin që kanë treguar në punën e tyre. Besoj se me ardhjen e tyre, ia kemi arritur qëllimit që të ndërtojmë një ekip të një niveli të kënaqshëm. Jam i bindur se do të jemi të suksesshëm, si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë”, - ka thënë fillimisht kreu i klubit ballshiot.
Thirrja
“Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi e mira nuk ka fund. Ekipi duhet të punojë për t’u rritur akoma më shumë në të gjitha drejtimet, duke e shfrytëzuar me efikasitet të plotë periudhën që kemi ende në dispozicion. Na duhet ta fillojmë me këmbë të mbarë kampionatin, ndonëse në një ndeshje të vështirë si ajo kundër Vllaznisë në transfertë. Kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore, ku trajneri Spahiu ka eksperimentuar me lojtarët. Pavarësisht rezultateve të arritura, mendoj se ekipi është shprehur si duhet në fushën e lojës. Ka pasur një harmonizim të mirë të reparteve, teksa lojtarët janë munduar të shprehnin vlerat më të mira të tyre, megjithëse ishin nën efektin e ngarkesave fizike”, - tha ai. Mario Gjika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›