E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ndaj ai është burrë, jo ti që nuk di të vjedhësh!"

Përkushtimi i politikaneve të një shteti, duket edhe në piramidën e paga/pensioneve dhe shanseve të barabarta. Kush janë sot më të diskriminuarit, e fakton një studim i thjeshtë i të vetëvrarëve. Nga cila shtresë janë shumica e tyre? Mua më rezultojnë nga më të varfrit. Jo, mund të thotë dikush, se ata janë më të varfër ose janë më të paedukuarit. Po edhe kështu mund të jetë, por derisa ata janë pjesë e shoqërisë shqiptare, përgjegjësinë për fatin e tyre e mbajnë kokat tona qeveritare. Këta bëjnë politika, këta vulosin piramidën e paga/pensioneve. Në Moskë, p.sh., u krijuan kazanët me çorbë, ku ushqeheshin më të rrezikuarit nga uria, tek ne asnjë forme mbrojtjeje nuk di të ketë funksionuar për të çoroditurit e tranzicionit tonë origjinal. Të duash Atdheun, do të thotë edhe të shikosh, sa je shtrirë ti në të dhe sa tjetri? Tek ne është hapur garë e padeklaruar, "kush e kush shtrihet më shumë, se, ja, Nazifi ia kaloi Mazllëmit nga pasuria që po vë!". Pavarësisht si e ve, "ndaj ai është burrë, jo ti që nuk di të vjedhësh!". Kjo është habia e vlerave të përmbysura shqiptare dhe fajtor për këtë situatë shoqërore, padyshim që është klasa politike dhe intelektualët e vendit. U drejtohem ju kolltugofagëve të rinj: Ktheni kokat prapa, të shihni ata që s'mbajnë dot as pankartën e ankimit, sepse kanë marrë rrugën drejt varrit!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›