Mersini: Luftëtari, me maturi drejt superiores
Inspiruesi i dy fitoreve të ekipit gjirokastrit në po kaq ndeshje është lideri Bledar Devolli
Drejtuesit e Luftëtarit, kryesisht trajneri Hysi, më tepër se formacionit që përfaqëson Himarën, i trembeshin «tokës së panjohur», ku do të zhvillohej «beteja» e parë midis «shqiponjave» të Argjirosë dhe «piratëve» të Jonit. Pra, fusha, ku u luajt ndeshja ishte ndër faktorët më shqetësues për udhëtuesit, ndërsa ndiheshin superiorë në përbërjen e formacioneve të disponueshme, ku përfundimisht triumfuan.
Luftëtari doli me sukses nga rrethimi me anë të «silurit» të lëshuar nga Mersini, që realizoi fitoren, pas pasimit të Bledar Devollit, i cili ka fituar dhe 11-metërshin me Vlorën. Në fakt, dy kundërshtarët e parë të Luftëtarit nuk janë të elitës së kategorisë së parë, por ndeshjet kishin vështirësitë e tyre, e para si premierë, ku ndjente peshën e fushës së vet, dhe e dyta në transfertë, ku tradicionalisht ka arritur fitore të rralla 4 sezonet e fundit.
Duke kapërcyer këto dy vështirësi, në vazhdim Luftëtarit i del detyrë realizimi i fitoreve më të thella në fushën e tij, duke filluar që në ndeshjen e radhës me Skraparin, që nuk ka njohur humbje në dy duelet e para, gjë që është e mundur, duke marrë parasysh futbollistët që disponon.
Gjykimi i Mersinit Mesfushori Ergys Mersini, me banim në Tiranë, por me gjak të kulluar gjirokastrit, sepse në Gjirokastër ka lindur dhe ka kaluar një pjesë të fëmijërisë, thotë: «Jam i gëzuar, si gjithë ekipi ynë dhe tifozët gjirokastritë, pasi në dy ndeshjete para morëm pikët e plota dhe po ashtu kam ndikuar në realizimin e fitores së dytë, me golin që realizova, pa mohuar lojën e gjithë të tjerëve, që më nxorën në rolin e golashënuesit, veçanërisht liderin Devolli.
Kemi bërë kështu nisjen e duhur të kampionatit, që është i gjatë dhe ka ekipe, që do të jenë kundërshtarë më të thekur se këta që u ndeshëm. Ne, pa kurrfarë mendjemadhësie, duhet të vazhdojmë punën stërvitore, sepse kemi çfarë të përmirësiojmë dhe nuk duhet nënvleftësuar asnjë ekip, duke nisur që me Skraparin, me të cilin kemi ndeshjen e radhës në shtëpi.
Janë të gjtha mundësitë, që të arrijmë në kuotën e 9 pikëve dhe besoj se këtë do ta realizojmë, pasi objektivi i lartë që kemi kërkon sa më shumë fitore, veçanërisht në fushën tonë , ku sduhet të humbasim pikë. Besoj se do të vazhdoj të godas rrjeta kundërshtare, gjithmonë në bashkëpunim me gjithë të tjerët, sepse te grupi e kemi forcën, duke u mbështetur edhe në karakterin e fortë të disa futbollistëve me shumë përvojë dhe reputacion që ka këtë sezon Luftëtari. »
