E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet për skrap transformatori

Lushnjë

Një transformator i energjisë elektrike është vjedhur nga persona ende të paidentifikuar nga policia mbrëmjen e kaluar. Bëhet fjalë për transformatorin që ndodhej në fshatin Grabian, komuna me të njëjtën emër në Rrethin e Lushnjës. Banorë të fshatit Grabian pohojnë se mbrëmjen e kaluar u është shkëputur energjia, e cila u është rikthyer një ditë më pas. Vetëm në mëngjes është konstatuar se nga kabina elektrike e fshatit ishte zhdukur transformatori. Në emër të komunitetit të fshatit me mbi tremijë banorë të Grabianit dhe të tre fshatrave fqinj, ka bërë një deklaratë kryetari i komunës, Ardian Shurdhaqi. Ai tha se hajdutët kanë ndërprerë më parë energjinë dhe më pas kanë realizuar vjedhjen. “Si specialistë në fushën e vjedhjes ata kanë ndërhyrë me lidhje të shkurtër që të heqin energjinë për të gjithë zonën. Më pas, duke shfrytëzuar terrin, kanë marrë transformatorin, që kishte kapacitet të lartë dhe përdorej për vaditjen e më shumë se 200 hektarëve tokë bujqësore. Pas komunikimit tonë me drejtuesit e OSSH-së në Lushnjë, për rikthimin e energjisë është identifikuar edhe vjedhja e transformatorit”, tha kryetari i komunës, Ardian Shurdhaqi. Ai shtoi se është hera e tretë brenda pak ditësh që vidhen transformatorë në Grabian. Ai hedh dyshime tek aftësia e policisë lokale. Sipas kryekomunarit, policia është mjaftuar vetëm me marrjen e denoncimit dhe provave të pakta në vendin e ngjarjes dhe ende nuk ka dhënë një autor për ndonjë nga tre rastet e regjistruara brenda pak ditësh. Nga ana tjetër burimet e policisë pohojnë se hajdutët kanë marrë jo të gjithë transformatorin, por pjesë të tij. “Janë marrë pjesët që shiten për skrap, që vlejnë për një gjë të tillë. Në vendin ku ndodhet transformatori, janë lënë vetëm pjesë të parëndësishme. Kjo tregon se qëllimi i vjedhjes ka qenë shitja për skrap dhe se ajo është kryer nga profesionistë”, tregojnë për gazetën burime nga policia e Lushnjës. Po ashtu, burimet policore pohojnë se kanë nisur kontrollet e pikave të shitjes së skrapit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›