E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, Buçkovski paralajmëron tensione etnike

SHKUP- Vendimi i djeshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ndaj ish oficerit maqedonas Tarçullovski pritet të tensionojë edhe më shumë mardhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Deklarata vjen nga ish kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski i cili paralajmëron tensione të reja etnike pas këtij vendimi.
Gjykata e Hagës rikonfirmoi dje dënimin me 12 vjet heqje lirie ndaj ish oficerit maqedonas Tarçullovski, për rastin Luboten, në vitin 2001 dhe lirimin nga akuza të ish ministrit të Brendshëm të Maqedonisë.
Retorika mes shqiptarëve dhe maqedonasve është mjaft e tendosur dhe ky vendim do të ndikojë negativisht në klimën e keqe etnike që tashmë ekziston, tha Buckovski.
Rasti Luboten është i vetmi i gjykuar në Hagë për konfliktin në Maqedoni. Dënimi i Tarçullovskit dhe në të njëjtën kohë garantimi i amnistisë së shqiptarëve është i pamundur, tha ish kryeministri, duke ju referuar 4 rasteve të tjera që Gjykata e Hagës mori në shqyrtim ku hetoheshin krimet e UCK-së por që u rikthyen në Maqedoni për mungesë faktesh.
Një nga 3 kërkesat që BDI i ka bërë koalicionit qeverisës për tejkalimin e krizës mes tyre, është pikërisht shqyrtimi dhe mbyllja e këtyre cështjeve nga drejtësia maqedonase.
Por vendimi ndaj Tarçullovskit pritet të ndryshojë qëndrimin e partisë së Gruevskit.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›