E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, ndërkombëtarët: Respektoni Marrëveshjen e Ohrit

SHKUP- Misionet e BE, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-ve në Shkup përmes një deklarate të përbashkët për shtyp kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me deklaratat e fundit të liderëve politikë dhe individëve të tjerë që flasin për ndarje , konflikt dhe braktisje të Marrëveshjes së Ohrit.

“Ne kundërshtojmë fuqimisht cdo lloj dhune ose kërcënimi me dhunë pasi kjo vetëm e dëmton progresin politik dhe ekonomik dhe që janë në kontradiktë të thellë me vlerat që përfaqësojnë institucionet tona. Inkurajojmë të gjithë qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre që të përdorin mekanizmat ekzistuese demokratike duke përfshirë dhe kuvendin për të avancuar interesat e tyre” thuhet në deklaratë.

Diplomatët e huaj ftojnë të gjithë liderët politikë që të verifikojnë përkushtimin e tyre të plotë ndaj Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe ndaj përforcimit të dialogut politik. Ata theksojnë se integrimi euroatlantik si dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit mbetet rruga më e mirë drejt përparimit për të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe për rajonin.

“Kërkojmë nga të gjitha palët të dyfishojnë përkushtimin e tyre ndaj harmonisë ndëretnike dhe të përmbahen nga cdo veprim që mund të shkaktojë tensione. Përkrahja publike dhe politike për integrimin euroatlantik vazhdon të jetë e madhe. Ne besojmë se ky vullnet i përgjithshëm duhet të respektohet si mënyra e vetme për të siguruar ardhmëri më të mirë për vendin dhe rajonin ” përfundon deklarata e 4 misioneve ndërkombëtare në Shkup.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›