Gjirokastër, del në dritë Stoa e Antigonesë
Gjirokastër- Një periudhë dyjavore ka qenë e mjaftueshme që nga thellësitë e tokës pas më shumë se 2 mijë vjetësh të dalë në dritë Stoa (shëtitorja) e qytetit antik të Antigonesë. Ekspedita arkeologjike shqiptaro- greke është rikthyer për të tretën herë radhazi për të hedhur më shumë dritë rreth historisë dhe zhvillimit të qytetit të themeluar nga Pirroja i Epirit si dhuratë për gruan e tij, Antigonën.
Përveç zbulimeve të tjera të rëndësishme, si gjurmët e një tempulli, objekte prej qeramike, monedha dhe gjetje të tjera që i përkasin periudhës së shekujve të III-II që është edhe koha e lulëzimit të plotë të këtij qyteti, Stoa vlerësohet prej arkeologëve si zbulimi më i madh i kryer gjatë 30 viteve të fundit në këtë qytetërim.
Sipas Prof. As. Dr. Dhimitër Çondi drejtues i fushates dhe arkeologut Elio Hobdari, që morën pjesë drejtperdrejt në gërmime, në terren, Stoa e zbuluar është një ndërtim inxhinierik dhe arkitektonik me vlerë, për vetë pozicionin madhështor me shtrirje lindje perëndim dhe me vendosje e pamje përballë luginës së Drinos. Për nga forma dhe vendosja, Stoa e Antigonesë është e ngjashme me ato të qyteteve të tjera të Epirit të lashtë, Butrintit, Foinikes, Dimalit dhe Apollonisë.
Ndërkohë që për arkeologët që e zbuluan, e veçanta e saj është se kjo është e vetmja stoa që ndodhet jashtë mureve rrethuese. Kjo është një vlerë tjetër që i shtohet Antigonesë, përveç sistemit urbanistik hipodamik, tashmë të njohur, dhe më të ruajturit në qytetet epirote.
Ekspedita e tretë shqiptaro-greke “Antigonë-2008” u përqëndrua kryesisht në, gërmimin dhe zbulimin e plotë të fragmentit të murit të vetëm poligonal që ndodhet në pjesën jugore të qytetit antik jashtë mureve rrethuese të qytetit poshtë së cilit arkeologët zbuluan pothuajse plotësisht në një gjatësi rreth 75 metra dhe gjerësi 6,5 metra, pjesët e një shëtitoreje ekstraurbane dhe gjurmët e një tempulli, ndërkohë që në tri pika të tjera brenda mureve rrethuese u bënë sontazhe për gjetjen e teatrit të qytetit antik.