Sparkes: EULEX, i gatshëm për të ndihmuar në Restelicë
Me rastin e tragjedisë në fshatin Restelicë të Dragashit, edhe zëvendësshefi i Misionit EULEX, Andy Sparkes, ka dërguar telegram ngushëllimi për familjen Reka, e cila humbi 10 anëtarë nga orteku i borës.
Përveç shprehjes së ngushëllimeve, Sparkes ka dhënë mbështetje për shërbimet e shpëtimit që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë ende në vend të ngjarjes. Ai tha se EULEX-i ende qëndron i gatshëm të ndihmojë në çdo mënyrë që mundet me personelin dhe resurset që ka.
Ajo çfarë ka ndodhur në mëngjesin e së shtunës në komunën e Dragashit është një tragjedi e tmerrshme. Në emër të EULEX-it, unë do të doja të shpreh ngushëllimet tona të thella për familjet e atyre që kanë vdekur. Mendimet tona mbeten me ta. EULEX-i ende qëndron i gatshëm të ndihmojë në çdo mënyrë që mundet me personelin dhe resurset që ka. Unë po ashtu dua të shpreh mbështetjen dhe admirimin tim për shërbimet e shpëtimit që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në vend të ngjarjes, dhe të gjithë ata që janë përfshirë në përpjekjet për tu përballur me këtë mot të ashpër, ka thënë Andy Sparkes, i cili aktualisht është edhe ushtrues detyre i shefit të EULEX-it.
Ndryshe, nga kjo tragjedi e ndodhur në fshatin Restelicë, 9 persona kanë humbur jetën dhe një vajzë pesë vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat. Ndërsa vazhdojnë kërkimet edhe për personin e njëmbëdhjetë, për të cilin dyshohet se gjendet në shtëpitë e rrënuara, si pasojë e goditjes së ortekut të fuqishëm. /Kosovapress