Shkup, projekti i bustizimit vazhdon të rritet
Tashmë u ka ardhur radha urave të Vardarit, të cilat do të “zbukurohen” me buste të ndryshme për ti përngjarë antikës së shumëkërkuar nga kryeministri Nikola Gruevski. Qyteti i Shkupit ka marrë përsipër që të bëjë bustet tek urat pranë Holideinit dhe ura Goce Dellçev.
Por veç busteve që do të vendosen te këto ura, do të bëhen edhe ndërtime të tjera zbukuruese që ura e ndërtuar para disa viteve të duket antike. Ndërsa sheshi i Shkupit, rikonstruimi i të cilit përfundoi para pak kohësh do të prishet dhe do të rindërtohet.
Paratë e qytetarëve po keqpërdoren për kapriçot e krerëve të Qeverisë, të cilët ëndrrat që i shohin gjatë natës, i zbatojnë të nesërmen. Sipas Lëvizjes Qytetare “Zgjohu”, “antikizimin” i kryeqytetit dhe vendit, pa përfilljen e shqiptarëve që jetojnë si qiraxhi në vendin e lindjes, është një projekt skandaloz dhe i panevojshëm në kushte katastrofike ekonomike.
“Ministria e Kulturës (Qeveria) dhe Qyteti i Shkupit vazhdojnë me politikën mono-etnike dhe provokuese ndaj komuniteteve të tjera që jetojnë në Maqedoni, në veçanti shqiptarët si komuniteti i dytë më i madh në vend. Elementi kushtetues shtet-bërës shqiptar është përjashtuar gati se në të gjitha vendim-marrjet shtetërore, në veçanti në projektet e kulturës si: ndërtimi i busteve, kishave, përfaqësimi i vendit, etj”, tha kryetari i “Zgjohu”-t, Artan Grubi.
Meqë këto projekte realizohen edhe me hisen e shqiptarëve në buxhetin shtetëror, “Zgjohu” konsideron që shqiptarët duhet të përfshihen në të gjitha projektet qeveritare, pa përjashtim. Veprimet e Qeverisë për bustizimin dhe antikizimin e kryeqytetit janë kritikuar si nga ekspertët e çështjeve ekonomike, ashtu edhe nga ata të çështjeve politike.
Eksperti i çështjeve ekonomike Abdylmenaf Bexheti tha se çdo lloj investimi kapital do të ishte më i mirë sesa ky përcaktim, bile jo vetëm nga aspekti ekonomik. “Përveç kostove ekonomike joracionale gjenerojnë edhe kosto politike të larta”, tha Bexheti.
Sipas tij, kjo qeveri do të vazhdojë me aventurat e veta deri sa të ketë mandatin. “Ajo është me një tendencë rritëse të këtyre investimeve, me interes të folklorit dhe nacional-shovinizmit maqedonas”, tha Bexheti.
Qeveria deri më tani ka derdhur më shumë se 10 milionë euro për të bustizuar Shkupin dhe për ti dhënë kryeqytetit pamjen antiko-nacionaliste. /lajm/