Shkup, shkon në 50 numri i të arrestuarve për incidentet
Mbi 50 veta janë arrestuar si të dyshuar për incidentet e dhunshme gjatë ditës së zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni. Për 38 prej tyre tanimë janë ngritur padi penale për pengimin e procesit zgjedhor. Këtë lajm e ka konfirmuar ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska. Ajo ka bërë të ditur se në mesin e të arrestuarve është edhe Vullnet Ahmeti, kandidat për deputet i BDI-së dhe funksionar i lartë i kësaj partie, ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, si dhe Agim Krasniqi dhe grupi i tij tetë anëtarësh, të cilëve tanimë u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Jankullovska ka theksuar se do të ndiqen të gjithë personat, për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë qenë pjesëmarrës në prishjen e procesit zgjedhor. Për 3 pjesëtarë të MPB-së janë ngritur padi penale për përfshirje në incidente zgjedhore.
6 Qershor 2008