Shkup, ulet numri i martesave, rritet ai i lindjeve
Shkup - Në tremujorin e fundit të vitit 2008 është shënuar rënie e numrit të martesave, por rritje e numrit të lindjeve. Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, numri i fëmijëve të lindur është 5.900 dhe është për 5,7 për qind më i madh nga tremujori i fundit në vitin 2007, citon Lajm në Maqedoni. Statistika tregon se numri i personave të vdekur shënon rënie prej 0,7 për qind, ndërsa numri i foshnjave të vdekura është rritur për 1,6 për qind, respektivisht 65 foshnja të vdekura. Ulje prej 2,3 për qind është vërejtur edhe tek numri i të kurorëzuarve. Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar janë bërë 3.885 kurorëzime, ndërsa janë divorcuar 317 martesa. Numri i divorceve është për 28,1 për qind më i vogël në krahasim me tremujorin e fundit në vitin 2007.