E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, vrasja e 5-fishtë, Haki Haziri: Shoqërova vrasësit, më bren ndërgjegja

SHKUP-Gazetat maqedonase sot kanë trajtuar rastin e Haki Hazirit, të arrestuarit gjatë operacionit "Monstër" më 1 maj. Gjykata në Shkup i shqiptoi atij masën e paraburgimit 30 ditësh, duke e akuzuar për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc.

Gazeta e përditshme "Fokus" duke cituar burime pranë grupit hetimor shkruan sot se "29 vjeçari jo vetëm që ka dhënë deklaratë por me detaje ka përshkruar rrugën përmes së cilës kanë kaluar të dyshuarit që kryen më pas vrasjen. Ai ka insistuar të flasë dhe ka theksuar se është dobësuar 20 kg pas ngjarjes pasi e ka brejtur ndërgjegjja. “Jam bërë pjesë nga grupi që e ka kryer vrasjen, pa e ditur", ka pohuar ai.

“Haziri në hetimin ka pohuar se nuk ka ditur se po përgatitej një vrasje dhe nuk ka parë që vrasësit të kenë armë. Ai i ka pritur në makinë, ndërsa ka filluar të dyshojë në qëllimin e tyre kur ka parë se maskohen dhe armatosen. Pas vrasjes, ata persona e kanë braktisur vendin, e kanë lënë makinën me Hakiun që më pas e gjeti policia, ndërsa me makinë tjetër janë drejtuar te fshatrat e Kumanovës ku xhaxhai i Hakiut u ka ndihmuar që në mënyrë ilegale të kalojnë në Kosovë”, shkruan "Fokus".

Ndërkohë, gazeta tjetër e përditshme "Dnevnik" shkruan se i dyshuari Haki Haziri, që deri të martën nuk i ishte publikuar identiteti, për shkak se ishte përfshirë në programin e dëshmitarëve të mbrojtur, me kërkesë të tij kishte kërkuar të mos dëshmojë për rastin "Monstër". Vendimi i tij për të hequr dorë nga dëshmitari i mbrojtur bëri që ai të shpallet i dyshuar, dhe ashtu ndaj tij u shqiptua masa e paraburgimit me dyshimin për vepër terrorizëm.

"Ai fillimisht ra dakort dhe kishte nënshkruar marrëveshje me Njësinë për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe pikërisht për këtë askush nuk dinte vendndodhjen e tij, përfshirë edhe familjen e tij. Deri tani askush nuk dëshiron të publikojë hapur se përse Haki Haziri kishte vendosur nga dëshmitarë i mbrojtur të ndiqet për terrorizëm, që sipas praktikës me këtë vendim të tij ai rrezikon të shpallet fajtor dhe të marrë dënim me burg të përjetshëm", shkruan "Dnevnik".

Avokati i tij Naser Raufi ka thënë për gazetën se nuk e di saktësisht se përse klienti i tij ka humbur statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Edhe nga Gjykata kanë theksur se në interes të hetimeve nuk sqarojnë se përse Haziri ka hequr dorë nga statusi i dëshmitarit të mbrojtur.

Nga MPB kanë theksuar për "Dnevnik" se Haziri ka qenë në mesin e nëntë personave ndaj të cilit paraprakisht ishte ngritur kallëzim penal, por gjykata nuk i kishte caktuar paraburgimin.

"Tanimë është e pasigurt se gjatë procedurës eventuale gjyqësore mund të shfrytëzohet deklarata e Hazirit, i cili kishte marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Sipas Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarit, në kërkesën për përfshirje në programën për mbrojtje, përskaj të dhënave gjenerale të dëshmitarit, mund të përfshihet edhe përshkrimi i veprës kriminale dhe vlerësimi i provave ekzistuese si dhe përmbajtja e deklaratës, të cilat do të vlerësohen se sa janë të vlefshme gjatë procedurës", thuhet në gazetën "Dnevnik".

(d.b/INA/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›