E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shkupi 2014" do të përfshijë edhe 5 figura shqiptarësh

Sipas parashikimeve, brenda këtij viti në Urën e “Syrit” do të vendoset busti i njërit prej personaliteteve shqiptare, dhe më pas do të vendosen edhe të tjerët. Tre figurat që do të vendosen në sheshin kryesor të Shkupit janë Pjetër Bogdani, Nexhat Agolli dhe Josif Bageri, ndërsa dy të tjerat në zona të tjera të qytetit.

Deri më tani nuk është përcaktuar se cila figurë do të vendoset e para, por ideja është që sheshi i kryeqytetit të reflektojë karakterin multietnik të Maqedonisë. Ky vendim është marrë gjatë negociatave mes partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilat erdhën pas reagimit të opinionit publik, ku fillimisht në projektin “Shkupi 2014" nuk përfshihej asnjë figurë shqiptare.

“Partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, prej fillimit kanë biseduar për mundësinë që në sheshin e Shkupit të ketë edhe figura shqiptare. Ndërsa, njëra prej tre figurave shqiptare të cilat janë të planifikuara për t’u vendosur në sheshin e qytetit, me siguri do të jetë gati gjatë këtij viti”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Shefik Duraku.

Sipas tij, figura të tjera shqiptare do të ketë edhe në pjesët jashtë sheshit, por edhe te muzeu i Luftës Nacional çlirimtare. Ndaj një ideje të tillë, pozitivisht janë shprehur edhe nga Komuna Qendër, të cilët shprehen se do të shqyrtojnë të gjitha idetë.

“Ne jemi të gatshëm që në seancat e komunës tonë t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë apo idetë, të cilat do të vijnë me emrat e ndryshëm të figurave shqiptare. Disa ide kanë ardhur edhe nga disa organizata joqeveritare shqiptare, të cilët presin përgjigje”, ka thënë Jovica Ackovski, zëdhënës i Komunës Qendër.

Para disa ditësh, në sheshin e Shkupit u vendosen përmendoret e revolucionarëve Goce Dellçev dhe Dame Gruev. Projekti qeveritar kap vlerën e 200 milionë eurove.

Një sondazh i realizuar së fundi, tregon se rreth 75 % e qytetarëve mendojnë se projekti “Shkupi 2014” ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›