Shkupi kaplohet nga tendosjet
Maqedonia është përfshirë nga protestat dhe tendosjet politike, pas vrasjes së një të riu maqedonas nga një pjesëtar policie, si dhe pas arrestimit të liderit të partisë Të Bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkovski.
Protestat për vrasjen e 22 vjeçarit Martin Neshkovski përveç Shkupit, tanimë po zhvillohen edhe në disa qytete tjera me moton "Stop brutalitetit policor".
Mijëra të rinj kanë dalë në rrugë, për të protestuar mbi këtë vrasje të dhunshme që ishte ekzekutuar në natën e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve nga ana e një pjesëtari të njësitit policor "Tigrat", për të cilin u nxorën fakte se ka qenë pjesë e truprojave të kryeministrit Nikola Gruevski.
Ndërkohë, protesta kanë nisur edhe kundër arrestimit të liderit të partisë Të Bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkovski.
Ithtarë dhe anëtarët e partisë së Boshkovskit, ish-ministrit të Brendshëm, u përplasën me njësitet policore pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Boshkovskit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një proces të montuar politik.
Kjo parti ka paralajmëruar se do të vazhdojë protestat deri në lirimin e liderit të tyre.
Lube Boshkovski u arrestua disa ditë më parë nga policia, pasi që tek ai u gjet një sasi parash ilegale, për të cilat u hodhën dyshime se ato ishin përdorur për financimin e paligjshëm të fushatës zgjedhore të partisë së tij.