Gaddafi luan shah!
Televizioni shtetëror i Libisë ka emetuar pamje të udhëheqësit të vendit, Muammar Gaddafi, duke luajtur shah me kreu e Federatës Botërore të Shahut, në momentin kur janë ashpërsuar sërish luftimet mes forcave besnike të tij dhe kryengritësve.
Në pamjet e emetuara të dielën në mbrëmje, Gaddafi shihej duke luajtur shah me kryetarin e FIDE-s, Kirsan Ilyumzhinov, lojë kjo e cila përcillej nga i biri i Gaddafit, Muhammadi.
Televizioni shtetëror nuk qartësoi se ku është zhvilluar kjo lojë e shahut, por Ilyumzhinov i tha agjencisë ruse të lajmeve, Interfax, se loja është zhvilluar të dielën në Tripoli.
“Takimi ka zgjatur rreth dy orë dhe kemi luajtur ca shah me Gaddafin”, tha Ilyumzhinov.
“Gaddafi theksoi se nuk do të largohet nga Libia, duke nënvizuar se Libia është atdheu i tij”, shtoi ai.
Ilyumzhinov, i cili është takuar edhe me ministrin për Edukim dhe atë të Jashtëm të Libisë, theksoi se ka parë shkatërrime të mëdha në Tripoli.
Loja e shahut u zhvillua, në momentin kur u njoftua për luftime të ashpra mes forcave të Gaddafit dhe kryengritësve në qytetin Zintan.