Shkupi, pa deklarata për pavarësinë
• Ndryshe nga sa ishte parashikuar nga qeveria e Kosovës, Shkupi nuk e njohu dje pavarësinë, pasi zyrtarët e Prishtinës refuzuan të merrnin pjesë në takimin për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit në kryeqytetin maqedonas.Më parë Maqedonia ka deklaruar se vendimi i saj për Kosovën do të jetë i njëjtë me atë të Bashkimit Evropian, por me sa është lënë të kuptohet, njohja e pavarësisë nga Shkupi ka mbetur peng i demarkacionit të kufirit. Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Shkupit, Ivica Bocevski, qëndrimi qeveritar për statusin përfundimtar të Kosovës është i njohur dhe nuk ka ndryshime. “Partnerët qeveritarë janë në një komunikim të rregullt lidhur me të gjitha aspektet për këtë çështje. Momentalisht ne na habit sjella e institucioneve të Kosovës lidhur me çështjen. Gjatë ditës së djeshme (e premte) është konfirmuar se nesër do të fillojë punë Komisioni i përbashkët për demarkacionin e kufirit, por sot (e shtunë) përfaqësuesi ynë Karajanov ishte njoftuar nga autoritetet në Prishtinë se nuk janë të gatshëm për fillimin e punës gjatë ditës së nesërme dhe propozojnë që kjo të fillojë gjatë javës së ardhshme”, ka deklaruar Bocevski. Zëdhënësi shtoi se kontakti i vetëm midis Kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski dhe homologut kosovar, Hashim Thaçi, është realizuar të hënën në mbrëmje, kur Thaçi i telefonoi Gruevskit mbi takimin. Maqedonia ka mbetur ndër të paktat vende në rajon që nuk ka njohur ende pavarësinë, edhe pse në vija të përgjithshme është deklaruar pro saj. Pjesa më madhe e fqinjëve të Serbisë e kanë njohur tashmë Kosovën shtet. Por serbët ende nuk po e pranojnë realitetin për humbjen e Kosovës. Pas shumë zërave në media se ata po përpiqen të rrëmbejnë nga Kosova, Mitrovicën, (zëra të mohuara nga Presidenti serb, Tadiç), ministri i Serbisë për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç ka pranuar dorëzimin e një dokumentacioni te krerët e UNMIK-ut, mbi një marrëveshje për krijimin e atmosferës së ndarjes funksionale të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Sipas Samarxhiç, marrëveshja për zbatimin e përbashkët të Rezolutës 1244 është në dorën e zëvendës shefit të UNMIK-ut, Lari Rosin, dhe se ai është hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të Serbisë dhe se është pjesë e planit aksional që qeveria e Serbisë e ka miratuar më 14 janar. “Propozimet nga kjo marrëveshje kanë të bëjnë me të gjitha komunat e vendbanimet serbe dhe jo vetëm me territorin në veri të lumit Ibër”, tha Samarxhiç në një intervistë për gazetën “Politika”. “Nëse dëshirojnë paqe dhe stabilitet me serbët duhet të jetësojnë marrëveshje të përhershme dhe jo të shuajnë zjarrin me dhunë që ditën e dytë”, tha Samarxhiç. Sejdiu: Presim njohje të tjeraPresidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka paralajmëruar njohje të tjera të shtetit të Kosovës gjatë javës së ardhshme. Sejdiu ka vlerësuar si shumë pozitive njohjet e deritashme dhe tha se institucionet e Kosovës janë duke u angazhuar në lobimin pro pavarësisë te shtetet, të cilat janë duke hezituar që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ai gjithashtu tha se pret që një lëvizje të tillë ta ndërmarrë shumë shpejt edhe Maqedonia. Ministri serb i Mbrojtjes: Gjendja po stabilizohet Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac, tha se me gjithë trazirat e fundit në Kosovë gjendja në rajon është e qetë. “Pas 17 marsit mund të themi se gjërat në Kosovë dhe më gjerë në rajon po stabilizohen. Ministria e Mbrojtjes ishte në kontakt me KFOR-in dhe ka kërkuar që trupat ndërkombëtare të mos përdorin forcë në Kosovë. Shpreh keqardhje për humbjen e jetëve në Kosovë, por ky është një mësim i mirë për të gjithë ata që nuk i kanë kuptuar rreziqet e mundshme dhe mënyrat e zgjidhjes së krizës”, përfundoi ai.Duma ruse: Negociata për Kosovën Kryetari i komitetit për marrëdhënie ndërkombëtare nga Duma ruse, Konstantin Kosaçev, ka deklaruar se qëllimi i veprimit të aktiviteteve të politikës së jashtme të Rusisë në lidhje me Kosovën është që të shfrytëzohet fakti se një numër i vogël i shteteve e kanë pranuar pavarësinë dhe se, nëse ky trend mbetet gjatë muajve të ardhshëm, të rifillojë çështja e statusit dhe të hapë dyert për negociata të reja. Rusia do të bllokojë hyrjen e Kosovës në të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, duke filluar nga PKB dhe OSBE”, ka deklaruar Kosaçev.“Serbia, mjaft me prezenca ilegale” Ambasadori amerikan, Frank Uizner, ka deklaruar se është koha që Beogradi ta ndërpresë praktikën e paarsyeshme të prezencës ilegale në Kosovë dhe të tregojë më shumë përgjegjësi. Uizner tha se ajo që ndodhi në Mitrovicën veriore ditë më parë është e papranueshme. “Humbja e jetës është e papranueshme dhe dhuna e treguar, ku Beogradi mban pjesë të madhe të përgjegjësisë, duhet të ndalet menjëherë. Beogradi dhe Rusia së bashku mbajnë përgjegjësi në ndaljen e dhunës dhe ta kenë të qartë se tërë komuniteti ndërkombëtarë qëndron unik dhe kërkojnë përgjegjësi për një sjellje kaq të dhunshme kundër forcave të KB, të cilët janë aty për qëllime paqësore”, tha Uizner.