E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt nga bota

Diego Forlan: Juventusi? Vetëm spekulime

Sulmuesi i Atletiko Madridit, Diego Forlan ka pranuar se ai nuk është duke nxituar që të largohet nga “Vicente Calderon”, ndërsa hedh poshtë spekulimet për një kalim te Juventusi. “Unë kam thënë shumë herë se jam mirë këtu dhe nuk e kam problem qëndrimin. Por, jam profesionist dhe nëse vjen oferta e duhur, atëherë ne do ta vlerësojmë atë dhe nëse ajo është e kënaqshme, atëherë unë do ta ndërroj klubin. Deri tani unë nuk jam kontaktuar dhe nuk kam marrë ndonjë ofertë konkrete. Unë nuk mund të flas për Italinë sepse nuk ka asgjë, janë thjeshtë spekulime”, deklaroi Forlan.

Ganso: Më kërkon skuadra e Interit

Mesfushori i Santosit, Ganso, ka deklaruar publikisht se kampioni aktual i Europës, Inter është vënë në kërkim të tij. “Unë jam i dëmtuar por një klub i madh europian më kërkon, klubi kampion i botës dëshiron të më ketë në skuadër. Por, Santos nuk dëshiron të më shesë për shkak të dëmtimit dhe çmimit të lartë”, u shpreh Ganso.

Mario Baloteli te Siti deri në vitin 2013

Çdo ideje për transferimin e Mario Balotelit te Milani i është dhënë fundi nga agjenti Mino Raiola, i cili ka garantuar se nuk ka gjasa që SuperMario të rikthehet në Serie A, së paku jo në një të ardhme të afërt. “Baloteli në Itali? Mendoj se Premier Liga është e shkëlqyer për të, ai mund të ngritet atje si lojtar. Projekti i Mançester Sitit është i bazuar në të dhe klubi nuk ka probleme. Unë mendoj se ai e ka kuptuar se është me rëndësi që ta afirmojë veten në Premier Ligë dhe të jetë pjesë e historisë së re te Mançester Siti. Ndoshta ai do të kthehet në Itali në qershor, por jo në vitin 2011, apo 2012”, u shpreh Raiola.

Van Nistelroi: Duhet të mendoj për rikthimin

Sulmuesi i Hamburgut, Rud van Nistelroi, ka folur rreth spekulimeve në lidhje me rikthimin e tij në “Santiago Bernabeu”. “Më duhet një fundjavë e qetë që të vras mendjen në lidhje me këtë. Nuk është e lehtë për mua, pasi Real Madridi nuk është çfarëdolloj ish-klubi që po interesohet për mua”, ka thënë 34-vjeçari për ZDF. Ndërkohë, drejtori sportiv i HSV, Bastian Reinhardt, ka thënë për Sky, se klubi i tij ende nuk ka marrë ndonjë ofertë nga Reali, porse ka sqaruar se holandezi ka kontratë me ekipin gjerman dhe duhet ta respektojë atë.

Bekham do ta mbyllë karrierën në Angli

David Bekham besohet se dëshiron të largohet nga LA Galaksi për t’i kaluar ditët e fundit të karrierës së tij si futbollist në Premier Ligë. 35-vjeçari i cili është duke u stërvitur te Totenhami derisa të fillojë sezoni i ri në MLS, mendon se do të rikthehet për ta mbyllur karrierën në Angli në momentin e duhur. Kontrata aktuale e Bekham me Galaksi skadon në nëntor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›