Fabio Kapelo pranë dorëheqjes?
Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Kapelo, thuhet të jetë tejet i nervozuar në Federatën Angleze të Futbollit (FA), pasi këta të fundit kanë punësuar një mbikëqyrës të punëve në kombëtare, pa pëlqimin e strategut italian. “News of the World” pohon se ish-trajneri i Real Madridit dhe Juventusit është shokuar tej mase nga ky lajm, pasi nuk ishte konsultuar për vendimin e marrë nga FA. Thuhet se Kapelo dëshiron ta shqyrtojë të ardhmen e tij si përzgjedhës i Anglisë, duke shtuar dyshimet nëse do t’i drejtojë apo jo “Tre Luanët” në Euro 2012. Por, situata në opinionin sportiv anglez është e atillë, që largimi i Kapelos shikohet si një vendim nga ata për t’u brohoritur. Dështimi në Kupën e fundit të Botës në Afrikën e Jugut, e ka fryrë shumë rrjedhën kundër trajnerit italian, ndonëse ky i fundit pati zhvilluar një sezon eliminatoresh krejtësisht perfekte. Nëse Kapelo largohet, sipas të gjitha gjasave, ai që do ta zëvendësojë do të jetë trajneri aktual i Totenhemit, Herri Redknap.