Shkurta në prokurori
Dosja penale që ka për objekt zënkat mes dy këngëtareve, tashmë ka marrë rrugën ligjore, ndërkohë që prokuroria pohoi se ditën e sotme do të marrë në pyetje edhe Rozana Radin, protagonisten tjetër të sherrit, shkruan gazeta ''Panorama''.
E veshur me një pallto të bardhë dhe një kapuç të zi, rreth orës 13:30, Rezarta Shkurta ka mbërritur dje në Prokurorinë e Tiranës, rreth 30 minuta me vonesë. Ajo ishte thirrur në ora 13:00 për t’u paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes, në katin e pestë të prokurorisë.
Sipas ''Panorama'', për rreth dy orë, Rezarta Shkurta ka dhënë shpjegimet e saj për përleshjen fizike me Rozana Radin, ngjarje e ndodhur më 5 dhjetor pas mesnate.
Në dëshminë e saj, Rezarta Shkurta ka pohuar se ngjarjet që sollën përleshjen fizike kanë qenë deklaratat e Rozana Radit, sipas të cilave pajtimi mes tyre kishte ndodhur pasi Rezarta ka kërkuar ndjesë lidhur me konfliktin e nisur në spektaklin “VIP Shpija” në Kosovë. Këngëtarja Shkurta ka thënë në prokurori dje, se pas komunikimit me Rozanën, ishte kjo e fundit që në formë sfide i kishte thënë “hajde të të takoj dhe do të shohësh që do të të zhgarravis”.
“Sapo jemi takuar, pashë që Rozana ishte në gjendje të rënduar psikologjike, ishte e pamundur të flisje me të”, ka thënë Rezarta Shkurta në prokurori.
Sipas saj, për këtë shkak, ajo është ndodhur nën goditjet e Rozana Radit dhe më pas është kundërpërgjigjur për vetëmbrojtje derisa policia dhe bashkëshorti i saj, Ermali, kanë ndërhyrë për të ndarë sherrin. Rrezarta Shkurta ka shpjeguar më tej, se pas sherrit, i është drejtuar policisë me kallëzim penal.