E lumtur me sukseset!

Është njëra prej aktorëve që tani në supe ka një numër të madh të roleve. E njohur për rolet e saj të veçanta, Adriana Matoshi këtë fundvit po shijon kënaqësitë që po ja jep viti 2010, kurse në një bisedë të shkurtër për Express Rozë, thotë se gjatë këtij viti ka arritur suksese të konsiderueshme si në sferën profesionale ashtu edhe në atë private.
“Pas 100 sukseseve, si në profesion por edhe në familje, por edhe shëndeti, atëherë konsideroi këtë viti si të suksesshëm”, thotë aktorja.
Muaj më parë ajo kishte një rol në shfaqjen “Këmisha e gjakut”, shfaqje kjo që u pëlqye nga publiku kosovar, por Adriana thotë se përpos këtij suksesi që ajo “pa dyshim e konsideron të çmueshëm”, ka pasur edhe një dhuratë të çmueshme.
“E, ky djali i im, Odej, i cili erdhi në familjen tonë, por edhe shëndeti im, sepse arrita që të çohem përsëri në këmbë”, thotë ajo.
Matoshi kishte pësuar një aksident muaj më parë, por aktorja tani është shëruar dhe pret që në të ardhmen prapë të fitojë role të ndryshme.
Pasi që është një aktore dhe profesioni i saj kërkon përkushtim, ajo thotë se me ndihmën e nënës së saj arrin që të kujdeset edhe për fëmijët, por edhe për profesionin.
“Falë nënës sime, së cilës dua t’i falënderohem me krejt qenien time, e që kurrë në jetë ndoshta nuk mund t’ia kthej. Këtë mund ta bëj vetëm më sukseset e mia dhe me një dashuri të madhe, sepse nëse ajo nuk do të ishte, as unë nuk do të isha këtu ku jam dhe se meritat për këtë sukses ia dedikoj asaj dhe vetëm asaj, që e dua fort”, thotë aktorja për Express.
Ndërkaq, ajo tani thotë se në vitin 2011 po ashtu pritet që ajo mos të rrijë duarkryq dhe të punojë edhe më shumë për të arritur suksese të reja në fushën e aktrimit.
“Së pari shpresoj ta kem shëndetin, sepse vullneti nuk do të mungojë”, thotë ajo.
Sipas saj, ajo ka ende energji të mëdha, por edhe shkathtësi dhe pret që risitë nuk do të mungojnë as në vitin që do të vijë.
“Andaj, kush dëshiron që unë të jem pjesë e projekteve të tyre, atëherë do të jem në dispozicion dhe do të bëj ç’është e mundur që energjitë që kam t’i shfrytëzoj për ato projekte”.
Megjithatë, aktorja thotë se ka projekte, por për momentin është duke i analizuar ato dhe në fund do të vendosë se ku do të shkojë.
“Pra, në fund, vendosi se ku të shkojë dhe ku do të ma qet më mirë”, ka thënë ajo.