Kapet i dënuari, qëlloi mbi vëllain dhe nipin
Policia ka vënë në pranga një 42-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për kërcënimin e vëllait, mbi të cilin kishte qëlluar edhe me armë. Sipas të dhënave, ditën e djeshme nga sektori i operacioneve speciale dhe kërkimit, u mundësua kapja e shtetasit Shefki Xhemal Karaj, 42 vjeç, banues në Mëzez, Komuna Kashar. Ky person ishte shpallur në kërkim nga Komisariati Nr. 6, pasi Gjykata e Tiranës, me vendim të datës 30 mars 2010, e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale të “kanosjes” dhe të “armëmbajtjes pa leje”. Sipas të dhënave, më datë 26 maj 2009, rreth orës 21.30 në Komisariatin Nr. 6, është paraqitur Sami Karaj, i cili ka depozituar një kallëzim kundër vëllait të tij, Shefki Karaj. Në këtë kallëzim, Sami Karaj akuzonte vëllain e tij, se e kishte kanosur për vdekje, duke hapur zjarr me një armë automatike, të cilën e mbante pa leje në shtëpinë e tij, në fshatin Zlat, Tiranë. Forcat e policisë kanë shkuar në banesën e Shefki Karajt, duke kryer menjëherë kontrollin e saj dhe identifikimin e personave të pranishëm në vendngjarje. Gjatë kontrollit, në oborrin e banesës janë gjetur dy gëzhoja automatiku. Ndërsa në banesën e të pandehurit është gjetur dhe fiksuar një armë zjarri automatike dhe krehri i saj me 16 fishekë, të cilat janë dërguar më pas për ekspertim teknik. Sipas kallëzimit rezulton se Shefki Karaj dhe i dëmtuari janë vëllezër dhe banojnë në banesa fqinje, në fshatin Zlat. Samiu po kthehej nga puna në shtëpi, i shoqëruar nga djali i tij Emiljano Karaj. Kur i janë afruar banesës së Shefkiut, kanë parë këtë të fundit, që ka dalë nga banesa dhe ka filluar të debatojë me fjalë me kallëzuesin, për shkak të një konflikti banal mes dy familjeve, që mendohet se ka ardhur për një rrugë që ndante dy banesat. Kallëzuesi i ka kërkuar të pandehurit të mos grindeshin, por i pandehuri ka vazhduar edhe më tej grindjen, duke e kapur me duar në fyt dhe duke e goditur me grusht. Në këtë moment kanë ndërhyrë familjarët. Kur kanë qenë duke hyrë në oborrin e shtëpisë së tyre, kanë parë Shefkiun, i cili shante dhe kërcënonte me jetë vëllain e tij. Ai ka qëlluar disa herë në drejtim të vëllait të tij dhe më pas është njoftuar policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes.
#